
KOSOVË- Sot do të tentohet për herë të 24 që të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Në orën 10:30 pritet të mbahet vazhdimi i seancës së 24-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Kuvendi vazhdon të mos arrijë të zgjedhë kryetarin e ri. Mediat në Kosovë kanë raportuar se kandidatura e Albulena Haxhiut, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin të sigurojë shumicën prej 61 votash të nevojshme për zgjedhje.
Guxo dhe Alternativa këmbëngulin se nuk është e nevojshme një marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Por përfaqësues të partive të tjera theksojnë se pa një marrëveshje të tillë, zgjidhja është e pamundur.
Po ashtu, këto tri subjekte politike po kërkojnë që votimi të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, por kjo po kundërshtohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA. Këto parti argumentojnë se seanca ka filluar me votim të hapur dhe duhet të vazhdojë në të njëjtën formë.
Ndërkohë, grupi parlamentar i AAK-së është në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese lidhur me vlefshmërinë e kërkesës për votim të fshehtë, të cilën kjo parti e ka dërguar për shqyrtim.