VATIKAN-Mbreti Charles III ka mbërritur në Vatikan, duke u bërë monarku i parë britanik pas gati 500 vitesh që merr pjesë në një shërbesë fetare me Papën. Vizita dyditore e tij dhe e Mbretëreshës Camilla shënon një moment historik në marrëdhëniet ndërmjet Kishës Anglikane dhe asaj Katolike.
Nën tavanin e famshëm të kapelës, të pikturuar nga Michelangelo, shërbesa do të bashkojë klerikë dhe kore si nga kisha katolike romake ashtu edhe nga Kisha e Anglisë, guvernatori suprem i së cilës është Mbreti. Vizita do të shihet si një simbol i rëndësishëm i pajtimit, në një udhëtim që do të shënojë edhe takimin e parë midis Mbretit dhe Papës së ri të lindur në SHBA.
Sipas njoftimit të Pallatit Buckingham, çifti mbretëror do të marrë pjesë në një shërbesë ekumenike në Kapelën Sistine me Papën Leoni XIV, për të shënuar Vitin Jubilar 2025 të Kishës Katolike. Kjo është hera e parë që një monark britanik merr pjesë në një akt publik adhurimi me Papën, që nga ndarja e Kishës së Anglisë nga Roma në vitet 1530, gjatë Reformacionit të Henrikut VIII.
Mbreti dhe Mbretëresha do të takohen me Papën dhe zyrtarë të lartë të Vatikanit dhe do të ketë një shërbesë të veçantë ekumenike, duke bashkuar traditat katolike dhe anglikane, ku Mbreti dhe Papa do të luten së bashku.
Shërbimi në Kapelën Sistine do të përqendrohet në mbrojtjen e natyrës, në shenjë njohjeje të mbështetjes entuziaste të Mbretit për kauzat mjedisore.
Por qëllimi i saj do të jetë të tregojë harmoninë midis dy besimeve fetare, me Korin e Kapelës Sistine që do të këndojë së bashku me Korin e Kapelës së Shën Gjergjit dhe Korin e Kapelës Mbretërore të Madhërisë së Tij.