Bota

Policia malazeze arreston 3 të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Autoritetet në Malin e Zi deklaruan se gjatë ditëve të fundit kanë prangosur 3 persona të dyshur për krime lufte

D.XH
Policia malazeze arreston 3 të dyshuar për krime lufte në
Policia malazeze

PODGORICË - Policia malazeze tha të enjten se ka arrestuar një të dyshuar dhe pritet që ta ekstradojë në Prishtinë, i cili akuzohet për krime gjatë luftës së Kosovës. Ai u kap në qytetin e Herzeg Novi.

Drejtoria e Policisë së Malit të Zi deklaroi se Prokuroria Speciale e Kosovës e kërkon të dyshuarin, sepse e akuzon për krime lufte. Më 1 tetor, policia malazeze arrestoi gjithashtu një serb nga Kosova, Zhivko Vuksanoviç, 62 vjeç, të cilin autoritetet e Kosovës duan ta gjykojnë për krime lufte.

Më 25 shtator u arrestua 61-vjeçari Momcilo Bulatoviç, një tjetër serb nga Kosova. Bulatoviç akuzohet se ka kryer krime lufte kundër civilëve në zonën rreth qytetit të Pejës në vitin 1999. Më 1 tetor, Milan Knezeviç, një nga udhëheqësit e partisë pro-serbe "Për Ardhmërinë e Malit të Zi", u kërkoi autoriteteve malazeze të ndalonin arrestimin e serbëve për krime të dyshuara lufte.

Ai tha se Kosova nuk njihet si shtet nga partitë pro-serbe në Mal të Zi. “Ne sigurisht që nuk do ta tolerojmë këtë lloj terrori kundër serbëve, që po përpiqen ta përhapin edhe në Mal të Zi. Sidomos pasi Mali i Zi është bërë një strehë për kriminelët më të mëdhenj në mbarë botën, të cilët paguajnë për lirinë e tyre, duke korruptuar institucionet përkatëse,” shkroi Knezevic në X. Autoritetet malazeze nuk i kanë komentuar arrestimet.

Si pjesë e ish-Jugosllavisë, Mali i Zi mori pjesë në luftërat e viteve 1990, megjithëse nuk pati luftime në territorin e tij. Që kur vendi u bë i pavarur në vitin 2006, ka mbajtur vetëm tetë gjykime për krime lufte të kryera në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë dhe autorët nuk kishin një profil të lartë politik.

Vendimi i vetëm i bujshëm në Mal të Zi për krime lufte në Kosovë ka qenë në rastin e ish-ushtarit të Ushtrisë Jugosllave Vlado Zmajevic, i cili u dënua 14 vjet burg për vrasjen e katër civilëve shqiptarë etnikë në Kosovë në vitin 1999.

Gjykata e Apelit e Malit të Zi në dhjetor 2019 la në fuqi vendimin që dënonte Zmajevicin për vrasjen e civilëve në fshatin Zhegër, afër Gjilanit gjatë luftës në Kosovë.

Në raportin e tij të fundit të progresit për Malin e Zi në tetor 2022, Komisioni Evropian tha se vendi vazhdoi të zbatojë strategjinë e ndjekjes penale të krimeve të luftës./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB