Bota

Presidenti i Palestinës: Ne nuk do të largohemi nga toka jonë

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abass deklaroi në një samit në Kajro, se palestinezët nuk do largohen nga Gaza, por do mbeten në tokën e tyre.

D.XH
Presidenti i Palestinës: Ne nuk do të largohemi nga toka jonë
Mahmoud Abass

EGJIPT- Një numër liderësh nga Lindja e Mesme dhe Evropa janë mbledhur në Kajro të Egjiptit, në një samit, për të diskutuar de-përshkallëzimin e luftës Izrael-Gaza.

Në këtë Samit, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas deklaroi se palestinezët nuk do të largohen nga toka e tyre.

"Ne kurrë nuk do të pranojmë zhvendosjen, ne do të mbetemi në tokën tonë, pavarësisht nga sfidat", tha Abbas.

Mahmoud Abbas është kreu i Autoritetit Palestinez, i cili ka kontroll mbi zonat e Bregut Perëndimor të pushtuar, por jo mbi Rripin e Gazës, i cili drejtohet nga Hamasi.

Egjipti dhe shtetet e tjera arabe kanë thënë më parë se një fluks masiv i refugjatëve palestinezë që ikin nga lufta do të ishte i papranueshëm, sepse do të përbënte precedent, për dëbimin e palestinezëve nga toka e tyre.

Në mbledhje, që quhet Samiti për Paqe, marrin pjesë zyrtarë nga Jordania, Katari, Italia, Spanja, BE dhe Britania e Madhe. Por, aty mungojnë zyrtarë të Izraelit, SHBA-ve dhe Iranit.

Nga ana tjetër, Izraeli pretendon se numri i pengjeve në Gaza tani është 210. Këtu nuk përfshihen nëna dhe vajza amerikane Judith dhe Natalie Raanan, të cilat u liruan nga Hamasi mbrëmë.

Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja e Tel Avivit ishte e menjëhershme. Më tepër se 4800 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e përgjakshme./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB