
RUMANI- Presidenti rumun Klaus Iohannis ka shprehur interesin për udhëheqjen e NATO-s, një pozicion për të cilin shumë vende anëtare mbështesin kryeministrin holandez në largim Mark Rutte. Iohannis shtoi se ai do të konkurrojë për postin, duke argumentuar se shtetet e Evropës Lindore kanë nevojë për përfaqësim më të mirë në rolet drejtuese euroatlantike.
“Kam vendosur t’i hyj garës për pozitën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Duke e marrë parasysh kontekstin aktual të sigurisë, besoj që është koha që shteti ynë të marrë më shumë përgjegjësi brenda udhëheqësisë euroatlantike”, ka thënë Iohannis, shteti i të cilit kufizohet me Ukrainën.
Në shkurt, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Gjermania mbështetën Rutte për të pasuar Jens Stoltenberg si kreun e NATO-s, duke e vënë atë në një pozicion të fortë për të fituar udhëheqjen e aleancës transatlantike, shkruan Reuters. Sipas rregullave të NATO-s, asnjë vendim nuk konfirmohet pa u arritur konsensusi për një kandidat./ZËRI