
FRANKFURT– Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, ka pranuar se djali i saj humbi pothuajse të gjitha investimet e tij në asetet e kriptovalutave, pavarësisht paralajmërimeve të shumta. Lagarde ka kritikuar prej kohësh kriptovalutat, duke i quajtur ato spekulative, të pavlera dhe një mjet që shpesh përdoret nga kriminelët për aktivitete të paligjshme.
"Ai më injoroi vazhdimisht",tha Legarde gjatë një bisede me studentët në Frankfurt. "Dhe ai humbi pothuajse të gjitha paratë që kishte investuar. Ai humbi rreth 60% të investimeve që kishte kryer. Kur bisedova më vonë me të, pranoi se kishte gabuar" shtoi Lagarde. Shefja e BQE-së ka dy djem rreth 30 vjeç, por nuk tha se cilit i referohej.
BQE ka bërë thirrje për rregullim global të aseteve të kriptovalutave, si për të mbrojtur konsumatorët që nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun, ashtu edhe për të mbyllur një boshllëk ligjor, që mund të përdoret për të kanalizuar financimin te terroristët ose për të lejuar kriminelët të pastrojnë paratë.
Shqetësimet se monedhat e emetuara privatisht mund të zhvendosin paratë e qeverisë ishin ndër arsyet që BQE-ja nisi projektin e saj dixhital të euros, por banka është ende shumë vite larg emetimit të parave dixhitale. Muajin e kaluar banka filloi fazën e përgatitjes për euron dixhitale, por tha se do t'i duheshin edhe dy vjet përpara se të ishte në gjendje të vendoste nëse do ta përdorte atë apo jo.
"Unë kam, siç mund ta dini, një mendim aspak të mirë për tregun e kriptovalutave. Njerëzit janë të lirë të investojnë paratë e tyre ku të duan, njerëzit janë të lirë të spekulojnë sa të duan, (por) njerëzit nuk duhet të jenë të lirë të marrin pjesë në tregti dhe biznese të sanksionuara penalisht", shtoi Lagarde. Shumë organizata ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin, se tregu i investimit në kriptovalutave përballet me probleme të shumta./Zëri.ai/