
RUSI – Tabloidi britanik, Express, shkruan se presidenti rus Vladimir Putin dyshohet se ka pësuar atak kardiak në banesën e tij private në Moskë, të dielën në mbrëmje.
Express raporton se për lajmin është informuar nga një ish-zyrtar i lartë në Kremlin. Lideri rus u gjet nga rojet, teksa ishte shtrirë në dyshemenë e dhomës së gjumit.
Mësohet se mjekët u thirrën menjëherë në vendngjarje dhe ata thanë se 71-vjeçari kishte pësuar një "atak kardiak". Putini më pas u transferua në një strukturë të posaçme mjekësore të ndërtuar në apartament, ku iu nënshtrua kujdesit intensiv.
Raporti i paverifikuar vjen pas spekulimeve të vazhdueshme rreth shëndetit të Putinit.
Kanali Telegram ‘General SVR’, që thuhet se drejtohet nga një ish-gjeneral rus, shkroi në një postim se oficerët e sigurisë të Vladimir Putin, të cilët ishin në detyrë në rezidencë, dëgjuan zhurmë, që vinte nga dhoma e gjumit e presidentit.
Dy oficerë sigurie, kur hapën derën e dhomës së gjumit të kreut të Kremlinit, panë Putinin të shtrirë në dysheme, pranë shtratit dhe një tavolinë të përmbysur me ushqime e pije.
Gjendja jo e mirë shëndetësore e numrit një të Presidencës ruse, thuhet se ka trembur seriozisht rrethin e brendshëm të Putinit. Kanali në Telegram, ‘General SVR’ shpesh pretendon se Putini përdor sozi, për vizita të ndryshme ose evente.
Kjo metodë, e dërgimit të një sozie, pretendohet se është përdorur nga zyrtarët e Kremlinit gjatë udhëtimit të fundit të Putin në Kinë, gjatë një takimi me presidentin kinez, Xi Jinping.
Presidenti rus Vladimir Putin, vazhdon që të jetë në qendër të vëmendjes të mediave botërore. Kjo, sepse ai nisi një pushtim të Ukrainës në 2022. Edhe pse shkaktoi luftën në Ukrainë, Putin ka reaguar për konfliktin në Lindjen e Mesme, duke fajësuar kryesisht SHBA-të. /Zëri.ai/