
BEJRUT - Agjencitë e sigurisë të Libanit kanë nisur një hetim për të shtënat në orët e vona të natës jashtë ambasadës së SHBA-së në Liban, që nuk shkaktoi asnjë të lënduar, thanë zyrtarët vendorë të enjten.
Askush nuk e mori përgjegjësinë për të shtënat me armë gjatë të mërkurës mbrëma në afërsi të hyrjes së kompleksit të ambasadës, të fortifikuar që gjendet në periferinë verilindore të Bejrutit, Aukar. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse incidenti ishte një sulm i motivuar politikisht.
Zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së, Jake Nelson, tha se "nuk ka pasur të lënduar dhe se ambasada është e sigurt". Ai shtoi: "Ne jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit të vendit pritës."
Menjëherë pas të shtënave, ushtria libaneze mori masa pranë ambasadës dhe më vonë agjencitë e sigurisë filluan një hetim duke përfshirë analizimin e kamerave të sigurisë në zonë, tha një zyrtar libanez në kushte anonimiteti.
Ky vit shënoi 40-vjetorin e një sulmi vdekjeprurës me bombë në Ambasadën e SHBA-së në Bejrut më 18 prill 1983, që vrau 63 njerëz, duke përfshirë të paktën 17 shtetas amerikanë.
Zyrtarë të lartë të CIA-s ishin midis atyre që u vranë në sulmin e ambasadës në vitin 1983 në një lagje bregdetare të Bejrutit. Një zyrtar amerikan fajësoi grupin militant Hezbollah.
Në vitet e fundit nuk ka pasur asnjë sulm të raportuar ndaj ambasadës, megjithëse Libani ka një histori të gjatë sulmesh kundër amerikanëve që nga fillimi i luftës civile të viteve 1975-90.
Në vitin 2008, një shpërthim goditi një automjet të ambasadës së SHBA-së në Bejrutin verior, duke vrarë të paktën tre libanezë dhe duke plagosur një kalimtar amerikan dhe një punonjës lokal të ambasadës. Shpërthimi, i cili dëmtoi SUV-in e blinduar dhe disa automjete të tjera, ndodhi pak përpara një pritjeje lamtumire për ambasadorin amerikan në një hotel në qendër të Bejrutit.
Në tetor 1983, një bombë në kamion vrau 241 anëtarë të shërbimit amerikan në kazermën e marinës amerikane në aeroportin e Bejrutit.
Në vitin 1976, ambasadori i SHBA-së në Liban, Francis E. Meloy Jr., dhe një ndihmës, Robert O. Uaring, u rrëmbyen dhe u qëlluan për vdekje në Bejrut. Në vitin 1984, Uilliam Buckley, shefi i stacionit të CIA-s në Bejrut, u rrëmbye dhe u vra nga grupi i xhihadit islamik.
SHBA tërhoqi të gjithë diplomatët nga Bejruti në shtator 1989 dhe nuk e rihapi ambasadën e saj deri në vitin 1991./Zëri.ai/