Bota

Qytetarët e Kosovës protestojnë për rritjen e çmimit të energjisë: Asnjë cent më shumë

Organizatorët e protestës thanë se përveç shtrenjtimit të energjisë elektrike, së fundmi është paralajmëruar edhe një valë e rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve

Redaksia Zëri
Qytetarët e Kosovës protestojnë për rritjen e çmimit
PAMJE NGA PROTESTA

PRISHTINË- Qytetarët e Prishtinës ditën e sotme kanë dalë në protestë, duke kërkuar që të mos merret vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Ata kanë mbajtur në duar pankarat “Shteti hesht, qytetarët s’ndalen”, “Tarifat e reja, padrejtësi e re”, “KEDS-i t’i kthehet popullit”, “Varfërimi i shumicës, pasurimi i pakicës”, “S’ka dritë me padrejtësi”, qytetarë të mbledhur afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, kundërshtuan kërkesën nga kompanitë e energjisë për rritjen e tarifave të energjisë për 15 për qind.

Organizatorët e protestës thanë se përveç shtrenjtimit të energjisë elektrike, së fundmi është paralajmëruar edhe një valë e rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, prandaj thanë se qytetarët e Kosovës “nuk e meritojnë t’iu vështirësohet më shumë jeta”. Pas protestës në sheshin Skenderbeu, protestuesit vazhduan marshimin drejt ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë. Aty ata vendosën parullat, në mënyrë që, sipas kur zyrtarët të shkojnë në punë, të shohin pakënaqësitë e qytetarëve.

Organizatorët e protestës në Prishtinë paralajmëruan protestë të re më 11 prill, nëse merret vendimi për rritjen e tarifave të energjisë. Zyra e Rregullatorit për Energji ka paralajmëruar se, nga ky muaj, faturat e energjisë elektrike mund të rriten për 15 për qind.

Kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë elektrike e kanë bërë kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë. Aktualisht, për konsumatorët në Kosovë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i energji elektrikes gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15 për qind, ata do të paguanin 8.96 centë.

ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues.

Vendimi për shtrenjtimin ose jo të energjisë elektrike këtë vit pritet të merret më 11 prill, ndërsa tarifat e reja është thënë se do të mund të hynin në fuqi nga 1 prilli, ose nga 1 maji. ZRRE-ja ka argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve "Kosova A" dhe "Kosova B". Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

Përfaqësuesit e bizneseve kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se rritja eventuale e çmimit të energjisë elektrike do të rriste kostot operative të bizneseve. Kjo më pas do të detyronte bizneset që të rrisnin çmimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke i bëra ato më pak konkurruese në treg.

Kosova, viteve të fundit, është përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Shtrenjtimi ka nisur në kohën e pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe ka marrë hov pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 2022./REL

Poll

MOS HUMB