
BEOGRAD – Autoritetet në Serbi kanë refuzuar që ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla të vizitojë Luginën e Preshevës. Numri një i Ministrisë së Brendshme të Kosovës kishte parashikuar që nesër të zhvillojë një vizitë në Luginë, por duket se kjo nuk do të ndodhë.
Njoftimin për refuzimin e vizitës, pala serbe ja ka deklaruar Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.
Sipas agjendës, ministri Zveçla do të vizitonte Medvegjën në orët e para të mëngjesit, në mesditë do të shkonte në Bujanoc dhe pasdite në Preshevë. Kujtojmë se Xhelal Zveçla nën cilësinë e ministrit të Brendshëm të Kosovës ka publikuar fakte e prova që konfirmojnë se pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, qëndrojnë eksponentë pranë qeverisë serbe.
Sveçla flet pasi iu refuzua vizita në Luginë: Do veprojnë sipas parimit të reciprocitetit
Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla ka njoftuar zyrtarisht se autoritetet në Serbi ia kanë refuzuar vizitën e planifikuar për të enjten në Luginën e Preshevës. Ai tha se vendimi nga autoritetet serbe është marrë pa asnjë shpjegim ose arsye. “Mbrëmë vonë, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd, jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën në Luginë është refuzuar nga autoritetet në Serbi, pa dhënë arsye dhe shpjegim”, shprehet Zveçla.
Reagimi i plotë i ministrit të Brendshëm të Kosovës Xhelal Zveçla
Me datë 29 dhjetor kam pranuar ftesë nga z. Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet.
Në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellur agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyren ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës.
Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë spjegim.
Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës.
Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta.
Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona. /ZËRI/