Bota

Rritet frikshëm çmimi i nuseve në Kinë

Në shumë vende, zakoni i pagesës, ose çmimi për të blerë një nuse është zbehur, por jo në Kinë, ku kjo praktikë mbetet thellësisht e rrënjosur në kulturë dhe në zakone.

Redaksia Zëri
Rritet frikshëm çmimi i nuseve në Kinë
Foto ilustruese

PEKIN- Martesat në Kinë mund të jenë shumë të llogaritura, edhe me paratë që nuset do të marrin. 

“A janë shumë 380,000 yuan (53 mijë dollarë) për një nuse?,”- pyet një grua në Guangdong në një faqe të mediave sociale. Ajo po mendon të martohet dhe dëshiron të dijë se sa duhet të paguajë familja e të fejuarit për dorën e saj. Shuma që ajo sugjeron, ekuivalente me gati 53,000 dollarë, është më shumë se shtatë herë sa paga e saj vjetore. Mijëra përgjigjen; shumë thonë se ajo duhet të kërkojë më shumë.

“Motër, jeta është jotja, mos i bëj padrejtësi vetes, të paktën kërko 888,800 (123 mijë dollarë),”-thotë një komentuese.

Në shumë vende, zakoni i pagesës, ose çmimi për të blerë një nuse është zbehur, por jo në Kinë, ku kjo praktikë mbetet thellësisht e rrënjosur në kulturë dhe në zakone. Në disa pjesë të vendit, çmimet e nuseve janë një dhuratë që prindërit e dhëndrit u kalojnë të sapomartuarve. Në të tjera, është një kompensim që i paguhet familjes së nuses. Në të dyja rastet, shifrat po rriten.

Çmimi mesatar i një nusjeje për t'u martuar në fshat u dyfishua. Në këtë përfundim ka dalë Yifeng Wan i Universitetit Johns Hopkins.

Çmimet në zonat urbane po rriten gjithashtu. Por, qeveria nuk e aprovon këtë praktikë. Ajo dëshiron më shumë martesa, pjesërisht për të rritur shkallën e ulët të lindjeve në Kinë. Çmimet e larta të nuseve nuk ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi. 

Që nga viti 2019, Partia Komuniste ka bërë thirrje rregullisht për të trajtuar problemin. Megjithatë, është bërë pak përparim - edhe pse ligji kinez ndalon "kërkesën e parave ose dhuratave në lidhje me martesën". Zyrtarët e fshatrave shpesh shmangin ndërhyrjen, nga respekti për zakonet lokale dhe nga frika se mos ndodhen në mes dy zjarreve kur dy familje grinden. Vende të ndryshme kanë vendosur kufizime, por këto limite ndonjëherë janë të larta: në disa provinca Gansu kërkohet nga 50,000-80,000 yuan. 

Dëshpërimi i disa burrave për një nuse është një pengesë e madhe për ndryshim. Ekziston një çekuilibër i madh midis gjinive: deri në vitin 2027, Kina do të ketë 119 burra për çdo 100 gra. Edhe gratë i rezistojnë reformës që kërkon të ndërmarrë qeveria. Shumë i shohin çmimet e nuseve si një mbrojtje kundër divorcit (martesat në Kinë dështojnë më shpesh sesa në Amerikë). Nëse martesa mbaron, një pjesë e çmimit të nuses mund të kthehet. Por një pjesë e madhe mund t'i mbetet gruas së divorcuar.

Në javët e fundit, kjo temë ka ndezur debate të ashpra në internet, pas një rasti të një burri të dënuar për përdhunimin e të fejuarës së tij, pasi familja e tij kishte paguar 100 mijë yuanë si dhuratë fejese.

Disa e konsideruan këtë “kontratë për seks”, ndërsa të tjerë theksuan se çmimi i lartë nuk përkthehet në të drejta mbi trupin e gruas.

Por shumë kinezë janë paksa pragmatikë në lidhje me kërkesat për para në dorë.

"Paraja është themeli i gjithçkaje,"- shkruan një grua në ëeibo, një faqe interneti në rrjetet sociale: Mund të mos e duash atë, por nëse pala tjetër nuk pranon të japë asgjë, atëherë ka problem./ZËRI

Marrë nga The Economist

Poll

MOS HUMB