MOSKË- Ministria ruse e shëndetësisë pretendon se ka zhvilluar një vaksinë kundër kancerit, e cila do t'u vihet në dispozicion pacientëve pa pagesë. Andrey Kaprin, i cili drejton Qendrën e Kërkimeve Mjekësore të Radiologjisë të Ministrisë së Shëndetësisë, tha se vaksina do të jetë e disponueshme në fillim të vitit 2025 dhe do të përdoret për të trajtuar pacientët me kancer. Por nuk do t'i jepet publikut për të parandaluar formimin e tumoreve.
Aktualisht është e paqartë për cilat lloje kanceri është menduar vaksina, sa efektive është ose si planifikon Rusia ta nxjerrë atë në treg. Po ashtu, nuk është bërë me dije as emri i vaksinës. Ngjashëm me pjesën tjetër të botës, normat e kancerit po rriten edhe në Rusi, me më shumë se 635,000 raste të regjistruara në vitin 2022. Kanceri i zorrës së trashë, gjirit dhe mushkërive besohet se janë format më të zakonshme të sëmundjes në vend.
Vaksinat e personalizuara të kancerit janë krijuar për të mësuar sistemin imunitar se si të njohë dhe sulmojë proteinat specifike për kancerin e atij pacienti. Për ta bërë këtë, vaksinat përdorin material gjenetik - të quajtur ARN - nga vetë pacienti. Në të njëjtën mënyrë që vaksinat tradicionale përdorin një pjesë të virusit për të parandaluar sëmundjet, këto përdorin proteina të padëmshme nga sipërfaqja e qelizave të kancerit, të njohura si antigjene.
Kur këto antigjene futen në trup, ata duhet të stimulojnë sistemin imunitar për të prodhuar antitrupa kundër tyre, të cilat më pas do të vrasin qelizat e kancerit. Vende të tjera po punojnë gjithashtu për të zhvilluar vaksinat e tyre të personalizuara kundër kancerit. Në maj, studiuesit e Universitetit të Floridës testuan një vaksinë të personalizuar në katër pacientë me glioblastoma, kancer agresiv i trurit që vrau John McCain dhe Beau Biden. Ekipi zbuloi se vaksina shkakton një përgjigje të fortë imune vetëm dy ditë pas injektimit.
Dhe në Mbretërinë e Bashkuar, shkencëtarët po testojnë një vaksinë të personalizuar të melanomës. Rezultatet e hershme treguan se ajo përmirësoi në mënyrë drastike shanset për të mbijetuar nga sëmundja, e cila është forma më vdekjeprurëse e kancerit të lëkurës./ZËRI