
MOSKË – Mediat ruse kanë shkruar në lidhje me vdekjen e liderit të opozitës së Rusisë, Aleksei Navalny. Moska zyrtare ka bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore duhet që të tregojnë vetëpërmbajtje.
Ministria e Jashtme ruse tha se vendet perëndimore duhet që të presin rezultatet e ekzaminimit mjeko-ligjor, përpara se të akuzojnë Kremlinin për vdekjen e Alexei Navalny, njoftoi media shtetërore ruse TASS.
Njoftimi për vdekjen e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny është bërë dy minuta pas kohës zyrtare të vdekjes së tij, pretendon kanali rus Telegram. Kremlini njoftoi se shërbimet e burgut po kontrollojnë rrethanat, në të cilat vdiq Navalny dhe se aktualisht nuk kanë informacion për shkakun e vdekjes së tij.
Kritiku më i madh i regjimit të presidentit rus Vladimir Putin, Aleksei Navalny vdiq në koloninë penale numër 3, në rrethin e Yamalo-Netets. Ai u ndje keq pas një shëtitjeje, humbi ndjenjat dhe ra në tokë. Menjëherë kanë mbërritur mjekët dhe ambulanca, por tashmë ishte tepër vonë. Autoritetet ruse kanë thënë se po hetojnë shkaqet e vdekjes. Në lidhje me vdekjen e tij, kanë reaguar liderët e vendeve perëndimore dhe organizatave të rëndësishme globale. SHBA u shpreh e tronditur për lajmin, duke shtuar se pret që gjithçka të konfirmohet. Më 9 gusht 2023, një gjykatë në Moskë e shpalli fajtor politikanin opozitar Aleksei Navalnyn, duke e dënuar 19 vite burg, me akuza, që kanë të bëjnë me ekstremizmin, për shkak të Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit. Përpara këtij akt-gjykimi, Navalny ishte duke vuajtur një dënim me 9 vite burgim. Ai dhe avokatët e tij kishin deklaruar se akuzat ndaj liderit opozitar të Kremlinit janë të motivuara politikisht./ZËRI/