
BERLIN- Kancelari gjerman Olaf Scholz bashkë me homologun e tij nga Mali i Zi, Milojko Spajiç kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët, në kuadër të një takimi bilateral. Në fjalën e tij, sipas mediave të huaja, Scholz theksoi se Mali i Zi ka demonstruar përpjekje të rëndësishme dhe të vazhdueshme në forcimin e shtetit ligjor dhe mbajtjen e marrëdhënieve të mira me fqinjët. Sipas tij, të gjitha këto virtyte e kanë bërë një kandidat të fortë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Scholz deklaroi se: Asnjë vend në Ballkanin Perëndimor nuk e meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian sa Mali i Zi.
Ndër të tjera, kancelari gjerman shtoi se është e pritshme që brenda 4 viteve të ardhshme, vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, duke vlerësuar se i ka plotësuar kriteret e negojshme.
"Asnjë nga vendet e shumta që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk do të anëtarësohet vetëm për arsye gjeopolitike. Duhen plotësuar edhe parakushtet e BE në lidhje me shtetin e së drejtës, demokracinë, ekonominë e tregut dhe bashkëjetesën sociale. Jam i impresionuar me ambicien dhe shpejtësinë e Malit të Zi. Mendoj se kjo është një ambicie realiste dhe ne duhet të ofrojmë të gjithë mbështetjen për këtë vend,"-tha Olaf Scholz.
Takimi mes dy liderëve shërbeu edhe për të thelluar marrëdhëniet bilaterale, ku u diskutuan marrëveshje të ndërsjella si njohja e patentave të shoferëve dhe bashkëpunimi kulturor. Spajiç ndodhet për një vizitë pesëditore në Gjermani dhe deri më tani ka biseduar me të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, Ministrin Federal të Ekonomisë, Robert Habek, si dhe me përfaqësues të Bundestagut./ZËRI