
SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen brenda pak javësh, ndërsa vendi do të mbajë zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare. Vendimi vjen pas muajsh të gjatë tensioni politik dhe protestash masive kundër qeverisë.
Lëvizja protestuese, e udhëhequr kryesisht nga studentët, nisi pas tragjedisë së ndodhur në nëntor 2024 në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku shembja e një strehe shkaktoi vdekjen e 16 personave. Që prej atëherë, demonstratat janë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme dhe në disa raste janë shoqëruar me përplasje e incidente të dhunshme.
“Do të jem president vetëm edhe për disa javë dhe më pas do të jap dorëheqjen”, u tha Vuçiç mbështetësve të tij gjatë një tubimi proqeveritar në kryeqytetin Beograd. Mandati i tij i dytë dhe i fundit ishte parashikuar të përfundonte në mesin e vitit 2027.
Vetëm pak ditë më parë, studentët u mblodhën në Novi Sad për të përkujtuar viktimat e tragjedisë dhe për të kërkuar zgjedhje të parakohshme. Një tjetër protestë studentore është planifikuar të zhvillohet të dielën në qytetin e Kraljevës, në juglindje të Serbisë.
Megjithëse njoftoi dorëheqjen e afërt, presidenti nuk dha një datë të saktë se kur do të largohet nga posti dhe as kur do të shpërndajë parlamentin, një hap i domosdoshëm për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme./ZËRI