
SHBA- Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rënë dakord të rifillojnë komunikimin ushtarak në një përpjekje për të lehtësuar tensionet në rritje. Kina ndërpreu komunikimet ushtarake vitin e kaluar pasi kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi Tajvanin. Pekini e sheh Tajvanin e vetëqeverisur si territorin e tij dhe ka kërcënuar ta aneksojë me forcë nëse është e nevojshme. Kjo është hera e parë që palët kanë biseduar, pas më shumë se një viti. Biden ka thënë se dy liderët janë pajtuar për të krijuar një linjë direkte komunikimi me njëri-tjetrin.
"Ne po u rikthehemi komunikimeve direkte, të hapura, të qarta”, tha Joe Biden për BBC, pas një takimi të rrallë që ka zhvilluar me presidentin e Kinës, Xi Jinping në Kaliforni, të mërkurën.
Në një konferencë shtypi pas samitit, Biden tha se mungesa e komunikimit ishte "si ndodhin aksidentet". Presidenti amerikan tha se, ndërkohë që mbetën shumë mosmarrëveshje mes dyshes, bisedimet ishin "disa nga diskutimet më konstruktive dhe produktive që kemi pasur".
Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu konfliktin në Izrael dhe Gaza. Një zyrtar i lartë amerikan u tha gazetarëve se zoti Biden i kishte kërkuar Kinës që të përdorte ndikimin e saj me Iranin për ta nxitur atë të mos ndërmarrë hapa që mund të shiheshin si provokues. Dy superfuqitë ranë dakord gjithashtu të shqyrtojnë së bashku inteligjencën artificiale (AI) dhe patën një bisedë të gjatë për Tajvanin, i cili, sipas një zyrtari amerikan, Xi tha se ishte "çështja më e madhe, më e rrezikshme në lidhjet SHBA-Kinë".
Përveç rikthimit të komunikimeve ushtarake, dy palët kanë thënë se janë arritur marrëveshje në shumë fusha tjera, të cilat kanë qenë burim tensioni së fundi. Si marrja e hapave për ta luftuar rrjedhjen e fentanilit në Shtetet e Bashkuara, i cili ka kontribuuar në rritje të numrit të mbidozave në këtë shtet. Kompanitë prodhuese kineze nuk janë vetëm burim i opiodieve sintetike, por edhe të kemikateve që mund të kombinohen për ta prodhuar atë substancë.
Nga ana tjetër pas bisedimeve, Kina tha se komunikimet e rivendosura midis dy ushtrive u bënë në "bazën e barazisë dhe respektit". “Planeti Tokë është mjaft i madh që të dy vendet të kenë sukses dhe suksesi i një vendi është një mundësi për tjetrin”, tha Xi.
Vizita e Xi Jiping në SHBA vjen pas 6 vitesh. 6 vjet më parë, ai u prit me verë dhe darkë nga ish-kreu i shtetit amerikan Donald Trump në Mar-a-Lago. Xi në atë kohë ishte në krye të një Kine që kishte tepër epërsi nga pikëpamja ekonomike. Vizita e tij ndihmon që sfidat aktuale ekonomike të Kinës, të çojnë në një dëshirë më të fortë për të stabilizuar marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe të investimeve me SHBA. /Zëri.ai