
KOSOVË-Një shpërthim me granatë dore ka ndodhur në Mitrovicën e Veriut, ku për pasojë dy persona kanë mbetur të plagosur.
Policia e Kosovës tha se njëri nga të plagosurit ka marrë lëndime më të rënda, por është jashtë rrezikut për jetën. Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe rreth 5 makina.
“Rreth orës 23:50, dyshohet se ka shpërthyer një granatë dore te hoteli ‘Bisevac’ në Mitrovicë të Veriut. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 4-5 vetura dhe dy persona janë lënduar, njëri prej tyre ka lëndime më të rënda, por jashtë rrezikut për jetë. Njësitet policore relevante janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin”, njofton policia.
Nga pamjet e publikuara nga mediat lokale serbe, shihet se në vendin e ngjarjes përveç Policisë së Kosovës janë parë edhe pjesëtar të EULEX-it dhe KFOR-it.
Arsyet se përse ka ndodhur ky shpërthim nuk dihen ende.
Policia e Kosovës identifikon 2 persona që dyshohen si autorë të shpërthimit
Policia e Kosovës ka marrë në intervistë 2 persona, që dyshohet se janë autorë të shpërthimeve në Mitrovicë të Kosovës. Kështu lajmëroi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun, Veton Elshani. “Njësitet policore si dhe prokurori i rastit ishin në vendin e ngjarjes dhe janë marrë me rastin. Njësiti i hetimeve rajonale i Mitrovicës së Veriut ka vazhduar punën sot me intensitet të shtuar dhe tashmë ka identifikuar dy persona të cilët janë persona me interes për intervistim.
Ata janë kërkuar edhe në shtëpitë e tyre, por nuk janë gjetur. Besohet se ky konflikt ishte pasojë e problemeve të mëhershme mes këtyre personave. Jemi duke hetuar tashmë disa pista”, ka thënë Elshani./ZËRI/