
ELIN PELIN- Një person u vra dhe një tjetër u plagos rëndë nga një zjarr që u aktivizua në një fabrikë fishekzjarrësh në Bullgari. Sipas mediave të huaja, shpërthimet nisën rreth orës 18:30 në qytetin Elin Pelin pranë kryeqytetit të Sofjes, duke vijuar edhe gjatë natës.
"Në momentin e parë u ndjeva sikur dikush përplasi derën. U tronditën xhamat. Rryma u ndërpre menjëherë," tha një banor për Nova TV.
Menjëherë pas ngjarjes, në një deklaratë urgjente për mediat doli ministri i Brendshëm, Kalin Stojanov, tha të enjten në mbrëmje se një 49-vjeçar vdiq nga plagët e marra, ndërsa vajza e tij 20-vjeçare ndodhet në gjendje kritike në spital.
"Dy burra, një djalë 22-vjeçar i pronarit të magazinës dhe një punonjës 60-vjeçar, besohet se kanë qenë në magazinë në momentin e shpërthimit, ende nuk janë gjetur,"-shtoi ministri.
Aksidenti, shkaku i të cilit për momentin nuk dihet, ka ndodhur dje, të enjten, pas përfundimit të ditës së punës në Elin Pelin, në periferi të Sofjes. Zona, e njohur si e "pasur" me toka bujqësore, u rrethua dhe helikopterët ushtarakë po skanojnë të gjithë vendin e ngjarjes./ZËRI