
GAZA- Në Gaza bombardimet e Izraelit vazhdojnë dhe autoritetet palestineze kanë lajmëruar se numri i të vdekurve nga sulmet në enklavë ka shkuar mbi 9000. Të martën, raketat goditën një kamp refugjatësh në Jabaliya, ku Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se ndodhej një udhëheqës i lartë i Hamasit. Dhjetëra civilë u vranë në atë sulm.
Ndërsa debatet për konfliktin vazhdojnë, një pyetje po shtrohet gjerësisht: Në çfarë mase Izraeli po mbështetet në inteligjencën artificiale dhe sistemet e automatizuara të armëve për të zgjedhur dhe goditur objektivat?
Vetëm në javën e parë të sulmit të saj, forca ajrore izraelite tha se kishte hedhur 6000 bomba në të gjithë Gazën, një territor që është 140 milje katrorë - një e dhjeta e madhësisë së shtetit të vogël të Rhode Island-it të SHBA-së - dhe ka dendësi të madhe popullsie. Me mijëra shpërthime janë dëgjuar në enklavë.
Izraeli komandon ushtrinë më të fuqishme dhe të teknologjisë më të lartë në Lindjen e Mesme. Muaj përpara sulmeve të tmerrshme të Hamasit më 7 tetor, ushtria e Izraelit njoftoi se po përfshinte inteligjencën artificiale në operacione vdekjeprurëse. Siç raportoi Bloomberg më 15 korrik, në fillim të këtij viti, ushtria e Izraelit kishte filluar të përdorte inteligjencën artificiale për të zgjedhur objektivat për sulmet ajrore dhe për të organizuar logjistikën e luftës.
Zyrtarët izraelitë thanë në atë kohë se ushtria përdori një sistem rekomandimi të inteligjencës artificiale për të zgjedhur objektivat për bombardimin ajror dhe një model tjetër, që më pas do të përdorej për të organizuar shpejt bastisjet.
Ushtria e Izraelit e quan këtë sistem të dytë Fire Factory dhe, sipas Bloomberg, "përdor të dhëna rreth objektivave të miratuara nga ushtria për të llogaritur ngarkesat e municioneve, për të caktuar mijëra objektiva për avionët dhe dronët dhe për të propozuar një plan lufte".
Në një vit kur inteligjenca artificiale ka dominuar titujt e lajmeve anembanë globit, ky element i konfliktit është shqyrtuar në shumë medie. Duke pasur parasysh pyetjet e panumërta praktike dhe etike rreth teknologjisë, Izraeli duhet t'i nënshtrohet ‘presionit’, nëse ka futur “në lojë” inteligjencën artificiale.
"Sistemet e inteligjencës artificiale janë jashtëzakonisht jo të besueshëm dhe të brishtë, veçanërisht kur vendosen në situata që janë të ndryshme nga të dhënat e tyre", tha Paul Scharre, nënkryetar i Qendrës për një Siguri të Re Amerikane dhe autor i "Four Battlegrounds: Power in the Age of Inteligjence artificiale”. Scharre u shpreh se ai nuk ishte i njohur me detajet e sistemit specifik që ushtria izraelite mund të përdorë, por se inteligjenca artificiale dhe automatizimi, ndoshta po përdoren në sulmet e Izraelit ndaj Hamasit në Gaza. Përdorimi i AI (inteligjencës artificiale) në fushën e betejës po përparon me shpejtësi, por mbart rreziqe të konsiderueshme.
"Çdo inteligjencë artificiale që është e përfshirë në shënjestrimin e objektivave, një rrezik i madh është që të goditet objekti i gabuar," tha Scharre. “Mund të shkaktohen viktima civile ose vëllavrasje”, shtoi ai.
Megjithatë, në vitin 2017, media zyrtare e ushtrisë izraelite njoftoi se "ushtria e sheh inteligjencën artificiale si çelësin e mbijetesës moderne". Në vitin 2018, ushtria e Izraelit u mburr se mjetet e saj po i tejkalojnë aftësitë e njerëzve". Në atë artikull, kreu i atëhershëm i Sigma, dega e ushtrisë izraelite e dedikuar për kërkimin, zhvillimin dhe zbatimin e inteligjencës artificiale, nënkoloneli Nurit Cohen Inger shkroi se “çdo kamera, çdo tank dhe çdo ushtar ‘prodhon’ informacione të rregullta, gjatë gjithë kohës”.
Ushtria e Izraelit shkoi aq larg sa e quajti konfliktin e saj të fundit me Hamasin në Gaza, në vitin 2021, "lufta e parë e inteligjencës artificiale", duke mbrojtur avantazhet që teknologjia e saj i jepte në luftën ndaj Hamasit. “Për herë të parë, inteligjenca artificiale ishte një komponent kyç dhe shumëfishues i fuqisë në luftimin e armikut”, tha një oficer i lartë i Korpusit të Inteligjencës IDF për Jerusalem Post. Një komandant i njësisë së shkencës së të dhënave dhe AI të ushtrisë izraelite tha se sistemet e inteligjencës artificiale kishin ndihmuar në shënjestrimin dhe eliminimin e dy liderëve të Hamasit në vitin 2021, sipas Post.
Ushtria e Izraelit thotë se sistemet e AI janë përfshirë zyrtarisht në operacione vdekjeprurëse që nga fillimi i këtij viti. Burime të afërta me ushtrinë e Izraelit thanë se sistemet lejojnë ushtrinë të përpunojë të dhënat dhe të lokalizojë objektivat më shpejt dhe me saktësi më të madhe, dhe se çdo objektiv shqyrtohet nga një operator njerëzor.
Megjithatë studiuesit e së drejtës ndërkombëtare në Izrael kanë ngritur shqetësime në lidhje me ligjshmërinë e përdorimit të mjeteve të tilla dhe analistët shqetësohen se ato përfaqësojnë një shkuarje drejt armëve plotësisht autonome dhe paralajmërojnë se inteligjenca artificiale e përdorur në luftë mbart rreziqe, sidomos për jetët e civilëve./Zëri.ai/