
BETLEHEM- Vendlindja biblike e Jezusit, Betlehemi, dikur ishte plot gjallëri në prag Krishtlindjes por këtë vit i ngjan më shumë një qyteti fantazmë. Dritat festive dhe pema e Krishtlindjeve që në rrethana të tjera do të zbukuronin sheshin jashtë Kishës së Lindjes së Krishtit mungojnë këtë vit. Ndërsa në vend të udhëtarëve të huaj dhe vendasve që festojnë ka ushtarë 'të blinduar' të forcave palestineze të sigurisë që patrullojnë sheshin bosh.
"Këtë vit, pa një pemë Krishtlindjesh dhe pa drita, ka vetëm errësirë,"-tha Xhon Vinh, një murg françeskan nga Vietnami, i cili ka jetuar në Jerusalem për gjashtë vjet.

Ai thotë se vjen gjithmonë në Betlehem për të festuar Krishtlindjet, por me pamjen e sivjetme të rrethuar me tela me gjemba, si edhe me foshnjat e vdekura të Gazës ndihet plotësisht zemërthyer. Turizmi i Krishtlindjeve në Betlehem përbën 70% të të ardhurave të qytetit të Bregut Perëndimor. Prandaj, anulimi i ngjarjeve të Krishtlindjeve këtë është një goditje e rëndë për qytetin.

Sipas zyrtarëve lokalë, për shkak të numrit të anulimeve të fluturimeve nga kompanitë kryesore ajrore, të paktën 70 hotele janë detyruar të mbyllen këtë vit, duke lënë mijëra njerëz pa të ardhura.
"Ne nuk mund të vendosim një pemë Kkrishtlindjesh dhe të festojmë normalisht kur disa njerëz në Gaza nuk kanë as shtëpi,"- thotë Alaa Salameh, pronare e një restoranti.
Në luftën që filloi pas një sulmi vdekjeprurës të 7 tetorit nga Hamasi në Izraelin jugor që la 1200 të vdekur, më shumë se 20,000 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 50,000 janë plagosur gjatë operacioneve izraelite në Gaza. Rreth 85% e 2.3 milionë banorëve të kësaj enklave të vogël palestineze janë të zhvendosur nga banesat e tyre./ZËRI