ROMË- Maria Rosaria Boccia, një emër i panjohur në Itali është kthyer në kryefjalën e publikut dhe mediave italiane. Ajo është një influencuese, sipërmarrëse dhe është vetëquajtur “këshilltarja” e ministrit të Kulturës Gennaro Sangiuliano. Gjithçka nisi kur ajo publikoi në Instagramin e saj një email që dyshohet se i ishte dërguar nga kabineti i Ministrisë për emërimin e saj “si këshilltare e ministrit”.
Por duket se çështja Sangiuliano është kthyer në një problem ndërkombëtar për qeverinë Meloni. Të paktën dy vende që do të marrin pjesë në G7-ën e ardhshme të Kulturës, të planifikuar për nga 19 deri në 21 shtator në Campania, kanë kërkuar në orët e fundit sqarime për atë që po ndodh në Itali.
Madje për të mbrojtur deklaratat e saj, Boccia publikoi edhe audion e një bisede telefonike private që kishte zhvilluar me të njëjtin zyrtar të kabinetit të përmendur në email.
“E nderuar Boccia, në vijim të asaj që përmenda shkurtimisht më parë, bashkangjit ju do të gjeni të dhënat e kontaktit tim dhe kolegut tim për çdo nevojë që lidhet me emërimin tuaj si Këshilltare e Ministrit ‘për ngjarje të mëdha’”, thuhet në email.
Megjithatë, përmbajtja e emailit, të paktën në pjesën e bërë publike nga Boccia, nuk vërteton se takimi ka ndodhur realisht.
Por kjo turpëron rëndë ministrin dhe vetë qeverinë. Ajo pretendon se është një nga këshilltarët e tij, por thotë se nuk ka pranuar para nga ministri, as për të paguar një kafe. Mirëpo, javët e fundit influencuesja është pikasur disa herë me ministrin. Po ashtu, edhe në Instagram ajo ka publikuar disa foto me Sangiuliano. Por problemi nuk janë fotografitë e postuara, por shtetet e G7 që janë planifikuar të zhvillojnë një takim së shpejti.
Meloni tha se ajo është informuar se gruaja nuk kishte akses në informacione për samitin, por Boccia iu kundërpërgjigj duke publikuar disa dokumente që duket se në të vërtetë lidhen me samitin e G7.
Menjëherë pas kësaj, edhe vetë ministri i Kulturës dha një konferencë për mediat, ku tha se ajo nuk është financuar nga qeveria dhe as nuk ka informacione për samitin që do të zhvillohet me liderët botërore.
“Po ritheksoj deklaratat e mia. Asnjë euro nga ministria, as për një kafe, nuk është përdorur për udhëtimet e Maria Rosaria Boccia, e cila, në lidhje me organizimin e G7, nuk ka pasur asnjëherë akses në dokumente të natyrës konfidenciale”, tha ai.
Por, mesa duket Boccia edhe për këtë e kishte një kundërpërgjigje, e cila menjëherë publikoi disa përmbajtje me të cilat përpiqet të hedhë poshtë versionin e tij të historisë. Ajo publikoi një email nga stafi i ministrit me temën: “Fluturimet Sangiuliano/Boccia. Data 15 korrik”. Dhe bashkangjitur janë kartat e identitetit të Boccia-s dhe vetë Sangiulianos.
Në këtë mënyrë biznesmenja duket se aludon se në fakt është financuar nga qeveria për udhëtimet e saj. “Nuk kam paguar kurrë asgjë. Më kanë thënë gjithmonë se Ministria rimbursonte aq shumë shpenzimet e këshilltarëve, saqë të gjitha udhëtimet organizoheshin gjithmonë nga shefi i sekretariatit të ministrit”, tha Boccia. /ZËRI