
QIPRO- Në Qipro është zbuluar një nga skandalet më të mëdha që lidhet me murgjit e një Manastiri të Shën Avvakumit në fshatin Fterikoudi. Në Manastir janë zbardhur biseda dhe përgjime mes murgjve si dhe akte seksuale të cilat janë filmuar brenda ambienteve.
Fillmisht skandalet e murgjve u përhapën si thashetheme dhe më pas Mitropoliti i Tamaosos dhe Orenit vendosi të kryejë një investigim, e cila u krye në mënyrë të befasishme dhe u morën videot.
Skandali i tyre nuk kishte të bënte vetëm me akte seksuale, por me gjithë funksionimin e manastirit. Shumë njerëz vinin në manastir për të nderuar ikonat, për të cilat murgjit i thonin se pikonte mirra prej tyre që ishte çudibërëse për sëmundje të ndryshme. Mirëpo ata kishin krijuar një mekanizëm përmes një ene që nuk dukej që bënte të dilte mirrë nga ikonat, shkruajnë mediat vendase.
Murgjit ishin mjaft aktivë në rrjetet sociale dhe “mrekullitë” e tyre i postonin online. Më tej, shumë njerëz të mashtruar kishin depozituar tek ta sasi të mëdha parash, bizhuterish dhe sende të tjera me vlerë të cilat u gjetën në manastir. Sakaq, kishin llogari bankare me depozita të mëdha dhe kishin investuar në blerjen e apartamenteve në Pire dhe Qipro, të cilat përdoreshin nga murgjit. Manastirit i është vënë kyçi ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet përbrenda kishës./ZËRI