MALI I ZI- Politika në Malin e Zi paraqitet e brishtë, përballë skandaleve të njëpasnjëshme që e kanë shoqëruar kohët e fundit. Një kapitull i ri tensioni është hapur pas arrestimit të ish-ministres së Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit, Vesna Brati. Mësohet se ish-ministrja është arrestuar në Podgoricë nga strukturat e policisë speciale, në kuadër të një hetimi për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas burimeve praraprake, hetimet aktuale lidhen me dyshime për vendime administrative që mund të kenë prodhuar pasoja financiare për shtetin, veçanërisht në sektorin e arsimit. Gjatë mandatit të saj pati shkarkime masive drejtorësh shkollash dhe ristrukturime që u kontestuan në gjykata. Por, çështja rrezikon të shndërrohet në një precedent serioz për përgjegjësinë penale të zyrtarëve të lartë në Mal të Zi, nëse këto veprime provohen si të paligjshme.
Arrestimi i saj ka shkaktuar jo pak tension në sferën politike, për shkak të figurës së saj ndër vite.
Por, kush është Vesna Brati? Ajo ishte një nga figurat më të diskutueshme të qeverisë së drejtuar nga Zdravko Krivokapi? (2020–2022), një kabinet që erdhi në pushtet pas rënies së hegjemonisë tridhjetëvjeçare të DPS-së së Milo Gjukanoviçit. Ajo u identifikua politikisht me linjën pro-serbe dhe konservatore, duke u përplasur shpesh me qarqet liberale dhe me një pjesë të opinionit publik që e shihte si simbol të një ndryshimi ideologjik në administratën shtetërore.
Ky arrestim vjen në një moment kur Podgorica zyrtare përpiqet të ruajë stabilitetin institucional dhe të forcojë kredencialet e saj në rrugën drejt Bashkimit Europian. Lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin mbetet një nga kushtet kyçe të Brukselit për avancimin e negociatave.
Veprimi i SDT-së mund të shihet si një sinjal që askush nuk është mbi ligjin, por gjithashtu ngre pikëpyetje për motivet politike që fshihen pas tij. Ish-përfaqësues të qeverive të mëparshme po përballen me llogaridhënie, ndërkohë që ky proces lidhet drejtpërdrejt dhe mund të ndikojë në klimën politike të vendit.
Si përkthehet kjo situatë për rajonin? Zhvillimet në Mal të Zi kanë peshë strategjike në rajon. Stabiliteti i Podgoricës ndikon drejtpërdrejt në arkitekturën e sigurisë në Adriatik dhe në ekuilibrat e brendshëm etnikë në vend. Një proces i drejtë, transparent dhe i depolitizuar ndaj Brati? do të forconte shtetin e së drejtës. Në të kundërt, nëse çështja perceptohet si selektive apo politike, ajo mund të thellojë polarizimin në një shoqëri tashmë të ndarë mes orientimit euro-atlantik dhe ndikimeve alternative rajonale.
Në pritje të komunikimeve zyrtare nga prokuroria, arrestimi i Vesna Bratit, shënon një tjetër provë për sistemin e drejtësisë malazeze: a është kjo një kthesë reale drejt standardeve europiane, apo një episod i radhës në betejën e ashpër për kontrollin e narrativës politike në Malin e Zi? Koha dhe provat do ta përcaktojnë.