Bota

Specialja bastis edhe shtëpinë e ish-këshilltarit të Thaçit, Artan Behrami

Kjo bastisje po ndodh një ditë pasi Behrami përmes një statusi në Facebook ka kritikuar Gjykatën Speciale se po dënon vetëm shqiptarët, duke e quajtur atë fashiste.

B.S
Specialja bastis edhe shtëpinë e ish-këshilltarit të
Artan Behrami

Gjykata Speciale ka nisur bastisjen e shtëpisë së ish-këshilltarit të presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami.

Kjo bastisje po ndodh një ditë pasi Behrami përmes një statusi në Facebook ka kritikuar Gjykatën Speciale se po dënon vetëm shqiptarët, duke e quajtur atë fashiste.

Po ashtu, Behrami kritikoi edhe për bastisjen gjatë ditës së djeshme të shtëpive të Blerim Shalës, ish-këshilltar i Thaçit dhe Bashkim Smakajt, ish-këshilltar i Thaçit që ka shërbyer edhe si shef i AKI-së.

Postimi i plotë i Behramit:

Gjykata Speciale është fashiste, sepse përndjek, arreston dhe dënon vetëm shqiptarët.

Prokuroria është në panik! Po humb çdo betejë juridike! Ndërsa, gjykata në përpjekje për të ndihmuar prokurorinë, seancat tragjike-komike po mundohet t’i mbulojë me spektakle.

Bastisja e shtëpive të kolegëve, Blerimit dhe Bashkimit, është skandaloze dhe e paprecedent!

Blerim Shala ka qenë pengesë vetëm për regjimin e Millosheviqit dhe ky regjim e kishte arrestuar atë disa herë.

Për katër dekada, Shala ka qenë njëra ndër figurat intelektuale që ka dhënë një kontribut të pashlyeshëm në rrugën për liri, pavarësi dhe shtetndërtim!

Ndërsa, Bashkim Smakaj është ndër njerëzit më profesionist që njoh në fushën e sigurisë, njeri që ka ndërtuar shumë institucione të sigurisë në Kosovë nga themelet!

Tani kjo qasje e prokurorisë është një dëshmi e qartë se ka një tendencë për të njollosur të gjithë shqiptarët që kanë dhënë kontribut për liri dhe shtetndërtim.

Unë dhe kolegët e mi që kemi pasur nderin të bashkëpunojmë me presidentin Thaçi, nuk frikësohemi nga trokitjet e kësaj prokurorie në dyert e shtëpive tona.

Ata nuk kanë policë për të bastisur të gjithë shqiptarët, ata nuk kanë prokurorë për të akuzuar të gjithë shqiptarët, ata nuk kanë burgje për të mbajtur të gjithë shqiptarët, që mbrojnë luftën çlirimtare të Kosovës!

Prokuroria e Specializuar e Hagës kohëve të fundit ka pasur disa aksione të ndryshme të ngjashme. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po mbahet në paraburgim që nga 5 nëntori i vitit 2020. Në po këtë ditë, ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe ishte transferuar për në Hagë. Arsye për këtë ishte ngritja e aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë.  Përveç Thaçit, aktakuzë është ngritur edhe ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999./ Zëri.ai

Poll

MOS HUMB