PALESTINË- Në shumë nga spitalet që ende veprojnë në Gaza, infermieret po humbasin ndjenjat nga uria dhe dehidratimi. Menaxherët shpesh nuk janë në gjendje t'u sigurojnë ushqim pacientëve ose stafit mjekësor. Mjekëve u kanë mbaruar furnizimet me qumësht për foshnjat e porsalindura dhe, në disa raste, po u japin atyre vetëm ujë. Të paktën tre spitale të mëdha nuk kanë materialet ushqyese të nevojshme për të trajtuar siç duhet fëmijët dhe të rriturit e kequshqyer.
Këto skena u përshkruan në intervistat e zhvilluara nga The New York Times me shtatë mjekë - katër nga Gaza dhe tre vullnetarë nga Australia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara. Të gjithë ata punuan javën e kaluar në katër nga spitalet kryesore të rajonit. Ndërsa uria rritet, institucionet dhe stafi mjekësor, të cilët tashmë po përpiqen të trajtojnë plagët dhe sëmundjet e luftës, tani po përballen me raste në rritje të kequshqyerjes.
Të dobët, mjekët po humbasin ndjenjat në repartet e kujdesit shëndetësor dhe kolegët e tyre po i mbajnë gjallë me infuzione fiziologjike dhe glukoze. Me një mungesë të vazhdueshme të ilaçeve thelbësore si antibiotikët dhe qetësuesit e dhimbjeve, mjekëve po u mbarojnë edhe lëngjet speciale intravenoze që përdoren për të ushqyer pacientët e rraskapitur. Në të katër spitalet, mjekët përshkruan se si është gjithnjë e më e vështirë të shpëtohen foshnjat e kequshqyera dhe se si detyrohen thjesht të menaxhojnë gjendjen e tyre që sa vjen dhe përkeqësohet. Foshnjat janë shumë të dobëta për t'u dhënë sasi të mëdha lëndësh ushqyese, të cilat mund të mbingarkojnë trupin e tyre dhe të shkaktojnë "sindromën e riushqyerjes", e cila mund t'i vrasë ato.
Në disa raste, lëngjet që mjekët mund t'u japin në mënyrë të sigurt foshnjave nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar vdekjen e tyre.
“Kam parë foshnje që janë gati të vdesin”, tha për New York Times Dr. Ambereen Sleemi, një kirurge amerikane që ka qenë vullnetare në Spitalin Nasser në Gazën jugore që nga fillimi i korrikut. Dr. Nick Maynard, një kirurg britanik i cili punoi vullnetarisht në të njëjtin spital deri të mërkurën, përshkroi tronditjen që ndjeu kur pa një foshnjë që dukej sikur të ishte vetëm disa ditëshe, por në fakt ishte shtatë muajshe.
“Fraza ‘kockë e lëkurë’ nuk mjafton për të përshkruar situatën. Pashë raste të kequshqyerjes aq të rënda sa nuk besoja se ishte e mundur në një botë të civilizuar. Kjo është uri artificiale që përdoret si armë lufte dhe do të çojë në shumë më tepër vdekje nëse ushqimi dhe ndihma nuk lejohen të hyjnë menjëherë,”-tha Dr. Maynard në një intervistë telefonike.
Uria është rritur ndjeshëm që kur Izraeli bllokoi plotësisht ndihmën ushqimore për Gazën midis fillimit të marsit dhe fundit të majit. Përpara marsit, ushqimi shpërndahej kryesisht përmes një sistemi të udhëhequr nga OKB-ja nga qindra pika afër vendeve ku jetonin njerëzit./ZËRI