
TIRANË- Ekspozimi i fëmijëve ndaj nxehtësisë dhe të ftohtit mund të ketë efekte të qëndrueshme në mikrostrukturën e lëndës së bardhë të trurit. Hulumtimi, i udhëhequr nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global (ISGlobal), nxjerr në pah cenueshmërinë e fetuseve dhe fëmijëve ndaj temperaturave ekstreme. Fëmijët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturës, pasi mekanizmat e tyre të termorregullimit janë ende të papjekur.
Studiuesit ekzaminuan strukturën e lëndës së bardhë në trurin e 2681 fëmijëve, të moshës 9 deri në 12 vjeç, me anë të MRI (Rezonancë magnetike). Ata përdorën gjithashtu një qasje të avancuar statistikore për të vlerësuar ekspozimin e secilit ndaj temperaturave mesatare mujore nga ngjizja e tyre deri në moshën 8-vjeçare.
Rezultatet tregojnë se ekspozimi ndaj të ftohtit gjatë shtatzënisë dhe vitit të parë të jetës dhe ekspozimi ndaj nxehtësisë nga lindja deri në moshën 3 vjeç u shoqëruan me maturimin më të ngadaltë të lëndës së bardhë.
“Në studimet e mëparshme, ndryshimi i këtij parametri është shoqëruar me një funksion më të keq njohës dhe disa probleme të shëndetit mendor,”- shpjegon autorja e parë e studimit, studiuese në ISGlobal dhe qendrën kërkimore spanjolle IDIBELL, Laura Granes.
Përveç kësaj, një analizë e bazuar në kushtet socio-ekonomike tregoi se fëmijët që jetonin në lagjet më të varfra ishin më të prekshëm ndaj ekspozimit ndaj të ftohtit dhe të nxehtit. Tek këta fëmijë, "dritaret" e ndjeshmërisë ndaj të ftohtit dhe nxehtësisë ishin të ngjashme me ato të identifikuara në grupin e përgjithshëm të pjesëmarrësve, por nisnin më herët.
Një mekanizëm i rëndësishëm që mund të shpjegojë efektin e temperaturës së ambientit në zhvillimin neurologjik, siç theksojnë studiuesit, lidhet me cilësinë e dobët të gjumit, ndërprerjen e funksioneve të placentës ose aktivizimin e boshtit hormonal që çon në prodhim më të lartë të kortizolit./ZËRI