
MYNIH- Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka zhvilluar dy takime ndaras me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Në fokus kanë qenë bisedimet për uljen e tensioneve mes dy shteteve.
Në një artikull të publikuar pas mbajtjes së Konferencës së Sigurisë në Munih lidhur me agjendën gjeopolitike të BE-së, Borrell zbardhi detaje nga takimet për të cilat u shpreh se rezultuan të pasuksesshme.
“Me presidentin e Serbisë Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Kurti, diskutova, në takime të ndara, se si të shtensionohet situata mes dy shteteve, por fatkeqësisht pa sukses”, theksoi Borrell.
Më 1 shkurt ka nisur zbatimi i një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parashikon euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme,, duke ndaluar dinarin serb. Kjo ka sjellë sërish tensione mes dy vendeve. Bashkimi Evropian po kërkon që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut, por Kosova ka thënë se rregullorja e BQK-së nuk është temë e dialogut. Nga ana tjetër, SHBA kërkon që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, pasi ka argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa pasur për bazë ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë përmes një sistemi paralel rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.