
BRUKSEL- Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak ka zhvilluar sot dy takime ndaras me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë ku në fokus të diskutimeve ishin përdorimi i dinarit serb në Kosovë.
Lajçak fillimisht u takua me delegacionin serb, të udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviç. Më pas, emisari evropian u takua me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.
Kosova nuk ka dashur që në këtë takim të dërgojë nivel politik sepse beson se çështja e rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme nuk duhet të jetë temë e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.
Sipas BE-së, ky vendim ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia./ REL