TURQI- Një autobus pasagjerësh që udhëtonte nga Tekirdağ për në Antalya është përmbysur në një përrua në Antalya, duke vrarë nëntë persona dhe plagosur 26 të tjerë të dielën. Autobusi, i drejtuar nga kompania Buzlu goditi barrierat anësore të rrugës në kryqëzimin Kömürler në lagjen Döşemealtı përpara se të binte në një përrua rreth orës 10:20 të mëngjesit.
Pas raportimeve për aksidentin, ekipe nga shërbimet shëndetësore, zjarrfikësit, Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), xhandarmëria dhe policia u dërguan në vendngjarje. Ekipet e ndihmës së shpejtë kryen përpjekje kërkimi, shpëtimi dhe evakuimi ndërsa siguruan zonën.
Guvernatori i Antalias, Hulusi Şahin, i cili vizitoi vendin e rrëzimit, u tha gazetarëve se autobusi ishte nisur nga Tekirdağ, në veriperëndim të Turqisë, mbrëmjen e kaluar dhe humbi kontrollin ndërsa po kalonte një kthesë në lagjen Döşemealtı.
Sipas deklaratës së guvernatorit, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë në një udhëkryq ku qarkullimi duhet të ishte i kufizuar, si dhe lagështia në rrugë prej reshjeve të shiut. Sahin theksoi se disa prej të lënduarve ndodhen në gjendje kritike për jetën në spitalet e zonës.
Deri më tani, autoritetet turke nuk kanë specifikuar nëse në mesin e viktimave apo të plagosurve ka shtetas të huaj. Antalia, një destinacion i njohur turistik në Mesdhe, është goditur nga shira të rrëmbyeshëm ditët e fundit. /ZËRI