SHBA- Mediat amerikane kanë sjellë komente që ka bërë Presidenti Donald Trump, i cili ka folur me gazetarët që udhëtojnë për në Alaska me të në Air Force One. Ai vëren se Vladimir Putin po sjell me vete “shumë njerëz të biznesit” nga Rusia, duke shtuar: Më pëlqen kjo sepse ata duan të bëjnë biznes. Por ne nuk do të bëjmë biznes derisa të zgjidhet lufta. Lufta duhet të ndalet dhe vrasjet duhet të ndalen.
Ai shtoi se Putini është një “djalë i zgjuar” dhe shton se ekziston një “nivel i mirë respekti nga të dyja palët”.
I pyetur në lidhje me sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës, Trump thotë se Putin mendon se kjo e ndihmon atë të bëjë një marrëveshje më të mirë, por në realitet në fakt e dëmton.
Trump: Shkëmbimi territorial 'do të diskutohet', por vendimi përfundimtar i takon Ukrainës
Presidenti amerikan, i pyetur nga një gazetar nëse shkëmbimet territoriale janë në tryezë, tha: Ato do të diskutohen, por unë duhet ta lejoj Ukrainën ta marrë atë vendim dhe mendoj se ata do të marrin një vendim të duhur. Por unë nuk jam këtu për të negociuar për Ukrainën. Nëse unë nuk do isha president, Putini do ta merrte të gjithë Ukrainën.
Një gazetar e pyet më pas Trumpin rreth mundësisë që SHBA-të të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën.
“Ndoshta”, përgjigjet Trump.
I pyetur nëse do të diskutojnë mundësitë ekonomike, Trump përgjigjet "nëse bëjmë përparim". Por po ashtu shtoi se Putini mund të përballet me "pasoja shumë të rënda" nëse refuzon t'i japë fund luftës.
"Ekonomikisht të rëndë, po. Do të jenë shumë të rënda. Nuk po e bëj këtë për vendin tim, nuk kam nevojë. Por unë po e bëj këtë për të shpëtuar shumë jetë,"- thotë Trump.
Presidentët e Rusisë dhe SHBA-së, Vladimir Putin dhe Donald Trump, do të takohen sot në Alaska. Qëllimi i këtij takimi do të jetë për të diskutuar mbi të ardhmen e luftës në Ukrainë. Pas caktimit të takimit, Trump deklaroi se do të ketë disa shkëmbime territoresh në dobi të Ukrainës dhe Rusisë./ZËRI