
SHBA- Ish-Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka reaguar për herë të parë në lidhje me vdekjen mister të liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny. Donald Trump, i cili ka marrë kritika si president i SHBA për ‘lëvdata’ ndaj Vladimir Putin, vdekjen e Navalnyt e quajti një ngjarje që e kë bërë të kuptojë më tepër se çfarë po ndodh me Amerikën.
"Vdekja e papritur e Alexei Navalny më ka bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm për atë që po ndodh në vendin tonë”, shkroi ish-presidenti amerikan në një postim në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, ndërsa nuk thotë asnjë fjalë për Putin.
Ndryshe nga Trump, Presidenti Joe Biden të premten fajësoi drejtpërdrejt Putinin për vdekjen e Navalny-t, ndërsa Kremlini ka mohuar përfshirjen në vdekjen e tij dhe tha se pretendimet perëndimore se Putin ishte përgjegjës ishin të papranueshme. Që kur u raportua vdekja e Navalny të premten, ish-presidentët e SHBA dhe anëtarët më të lartë të Kongresit nga të dyja partitë fajësuan gjithashtu Putinin.
Kritiku më i madh i regjimit të presidentit rus Vladimir Putin, Aleksei Navalny vdiq në koloninë penale numër 3, në rrethin e Yamalo-Netets. Ai u ndje keq pas një shëtitjeje, humbi ndjenjat dhe ra në tokë. Menjëherë kanë mbërritur mjekët dhe ambulanca, por tashmë ishte tepër vonë. Autoritetet ruse kanë thënë se po hetojnë shkaqet e vdekjes. Në lidhje me vdekjen e tij, kanë reaguar liderët e vendeve perëndimore dhe organizatave të rëndësishme globale./ZËRI