SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha se dëshiron një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë deri më 8 gusht. Deklarata u bë sot në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
"Si Rusia ashtu edhe Ukraina duhet të negociojnë një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme. Është koha për të arritur një marrëveshje. Presidenti Trump e ka bërë të qartë se kjo duhet të bëhet deri më 8 gusht. Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të marrin masa shtesë për të siguruar paqen,"- i tha Këshillit të Sigurimit diplomati i lartë amerikan John Kelly.
Trump tha pardje se Shtetet e Bashkuara do të fillonin të vendosnin tarifa dhe masa të tjera ndaj Rusisë "brenda 10 ditësh" nëse Moska nuk tregonte vullnet për të përfunduar luftën në Ukrainë. Kievi dhe Moska zhvilluan tre raunde bisedimesh në Stamboll këtë vit që rezultuan në shkëmbimin e të burgosurve dhe trupave, por pa ndonjë përparim në qetësimin e luftës gati tre vjeçare e gjysmë. Sipas tij, SHBA-të duan të arrijnë një marrëveshje me Rusinë për Ukrainën brenda 10 ditësh, dhe nëse kjo nuk ndodh, Uashingtoni do të vendosë tarifa për importet.
Trump shtoi se nëse bisedimet dështojnë, ai do të vendosë tarifa importi, por nuk është i sigurt nëse kjo do të ndikojë në Rusi.
"Do të vendosim tarifa. Mund të bëhen gjëra të ndryshme. Mund të ketë ndikim, mund të mos ketë", tha Trump.
Kremlini ende nuk ka reaguar ndaj deklaratës së fundit të Trumpit./ZËRI