
KOSOVË- Dhjetëra qytetarë kanë protestuar të enjten në Prishtinë, duke kërkuar siguri dhe drejtësi për vajzat dhe gratë, pas dyshimeve se një vajzë e mitur u dhunua seksualisht ditë më parë nga dy persona. Protestuesit marshuan në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrimin “Siguri për gratë”, “Poshtë patriarkati”, “Gra, revoltohuni” dhe “Drejtësi për gratë”.
Ngjarja e rëndë u raportua tre ditë më parë. Dy personat që dyshohet se e kanë dhunuar seksualisht 13-vjeçaren nga Malisheva janë Luan Foniqi, 20-vjeçar dhe Dashnim Xhaferi, 37-vjeçar.
Pasi e mitura u gjet, u dërgua në spital për të kryer ekzaminimet e nevojshme. Më pas ajo dha deklartën e saj lidhur me se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë. Polica u organizua për të kapur personat e dyshuar, të cilët më pas u arrestuan. Ndaj dy personave ka filluar një hetim për veprën penale “dhunim”.
Në Kosovë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, çdo vit raportohen dhjetëra raste të dhunës seksuale. Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se numri më i madh i viktimave të kësaj dhune janë vajzat e moshës 13 deri në 16 vjeç. Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga dy deri në 15 vjet burgim për dhunime e sulmet tjera seksuale./ZËRI