
BRUKSEL- Betimi i e Presidentes së re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska, ka sjellë reagime nga ndërkombëtarët. Nisur nga fakti që Silianovska e quajti vendin e saj Maqedoni dhe jo Maqedoni e Veriut, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, i dërgoi një mesazh të ashpër ku kërkoi zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.
“Në mënyrë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është me rëndësi të madhe që vendi të vazhdojë kursin e tij reformues dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës,”- shkroi Ursula Von der Leyen në një postim në X.
Silianovska gjatë betimit e quajti vendin “Maqedonia”, duke bërë që kryetari i Kuvendit në largim, Jovan Mitreski, t’i thotë Silianovskës që ta përsërisë atë, pra të thotë “Maqedoni e Veriut”, por kjo gjë nuk ndodhi. E pranishme në ceremoni ishte edhe ambasadorja e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Sofia Filippidou, e cila e braktisi në shenjë proteste.