
KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti ka postuar së fundmi një video në të cilën thotë se tregohen ushtarët e Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën, për të cilën Serbia zgjodhi sot të reagonte. Nemanja Staroviç, Sekretar Shteti i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, shprehet se ky është një “pushtim imagjinar” dhe Kurti po mbulon ngacmimet ndaj serbëve të Kosovës. Duke tentuar të shpjegojë pamjet filmike, të publikuara nga kryeministri i Kosovës, Staroviç thotë se ishin patrullime të rregullta të ushtrisë serbe përgjatë kufirit në koordinim të ngushtë me KFOR-in.
“Alarmimi i pabazë i shërben shumë mirë qëllimit të Kurtit, pasi shpërqendron vëmendjen nga vuajtjet e popullit serb nën grushtin e tij të hekurt dhe e përshkruan Kosovën si viktimë të ndonjë ‘pushtimi’ të imagjinuar që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë. Për të përsëritur edhe një herë, me zë të lartë dhe qartë, forcat e armatosura serbe nuk kanë hyrë kurrë në territorin e Kosovës pas vitit 1999 dhe nuk do të hyjnë kurrë, derisa të lejohen nga KFOR-i, siç parashikohet në rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Pyetja e duhur për të bërë do të ishte se çfarë po bëjnë njësitet e militarizuara mono-etnike shqiptare të policisë së Kosovës në veri të Kosovës, pasi vendosja e tyre e përhershme në zonë shkel Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, Marrëveshjen e Brukselit dhe shumë marrëveshje të tjera. Kjo video e veçantë e shpërndarë nga Kurti në fakt përfaqëson një patrullë të rregullt të kryer nga forcat tona përgjatë kufirit administrativ, të koordinuar ngushtë me KFOR-in, siç ndodh gjithmonë”, shkroi Staroviç në platformën X, ish-Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pretendon se njësi të specializuara të ushtrisë serbe janë parë disa metra larg kufirit të Kosovës. Ai ka publikuar në Facebook, një video përmes së cilës pretendon se ushtarët serbë ndodhen në kufi me veriun e Serbisë, konkretisht në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”. Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën", shkruan Kurti.
Kurti thotë se këto lëvizje të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën vijnë vetëm pak ditë pas kërcënimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, se ndërkombëtaret duhet të zgjedhin mes Kosovës dhe Serbisë, ose kjo e fundit do presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë mundësinë për të vepruar./ZËRI