
QUITO- Lufta vazhdon në Ekuador! Forcat e Armatosura Kombëtare kanë vrarë 5 "terroristë" (anëtarë të bandave kriminale), arrestuan 329 të tjerë dhe liruan 41 pengje. Kështu ka bërë të ditur kreu i Komandës, Jaime Vela. Ky është raporti i parë zyrtar për operacionet e kryera pas valës së dhunës së krimit të organizuar në të gjithë vendin. Sipas "Infobae', 139 persona po mbahen peng në të paktën 5 burgje (në Cuenca, Azogues, Napo, Ambato dhe Latacunga) në Ekuador, duke përfshirë rojet dhe stafin administrativ. Kjo sepse të burgosurit janë rebeluar si një masë proteste kundër politikave të ashpra që ka kërkuar për të implementuar Presidenti Daniel Noboa. Megjithatë, sipas Shërbimit Penitenciar (Snai), nuk ka asnjë peng të vrarë.
Por është ende e paqartë nëse oficerët e rendit kanë arritur të hyjnë në burgjet ku kanë ndodhur trazirat. Këto grupe, së bashku me të tjerë, janë shpallur “terroristë”, në bazë të dekretit 111 të nënshkruar nga kreu i shtetit, i cili pranon se Ekuadori po përballet me “një konflikt të armatosur të brendshëm”.
DRONËT DHE KOKAINA
Përshkallëzimi i dhunës ditët e fundit në Ekuador ka vënë në gatishmëri edhe Brazilin fqinj. Frika se vëllimet e trafikut ekuadorian të drogës do të zhvendosen në gjigantin e Amerikës Latine për këtë muaj është e lartë. Prej disa kohësh në Ekuador, veçanërisht në portin e Guayaquil, janë mbledhur anëtarët e grupit kryesor kriminal brazilian, "Komanda e Parë e Kryeqytetit (PCC)", e cila vepron atje së bashku me kartelet meksikane, por edhe me italianët e 'Ndraghettas. Kaosi i këtyre ditëve, nëse vazhdon, sipas ekspertëve, mund të ndikojë në logjistikën e trafikut të drogës. Kjo pasi Ekuadori transporton tonelata kokainë drejt Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, pavarësisht se nuk është vend prodhues. Por me ndihmën e PCC-së, logjistika e trafikut të drogës mund të transferohej masivisht në Brazil. PCC ka imituar kartelet meksikane në përdorimin kriminal të dronëve komercialë, të paktën që nga viti 2017.
“Dronët komercialë ofrojnë avantazhe operacionale dhe fleksibilitet taktik për grupet e armatosura kriminale.”
Ato mund të përdoren për të mbledhur informacione rreth rivalëve dhe Policisë, për të kontrabanduar mallra dhe drogë, dhe mund të armatosen dhe të përdoren për të sulmuar rivalët dhe forcat e rendit. Ndërsa dronët janë përdorur nga grupet kriminale braziliane për operacione të inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit, kartelet meksikane i kanë armatosur dhe i përdorin për të sulmuar kartelet rivale, Policinë dhe ushtrinë.
"Në Ekuador, ato përdoren kryesisht për të sulmuar burgjet,”-shpjegon John P. Sullivan, anëtar i lartë i Small Wars Journal-El Centro.
MILITARIZOHEN KUFINJTË ME EKUADORIN
Pas valës së dhunës që ndodhi më 9 janar në Ekuador, presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ratifikoi mbështetjen e tij për qeverinë e Daniel Noboa dhe urdhëroi Forcat Ushtarake të forcojnë sigurinë në kufirin. Këtë e konfirmoi gjenerali Helder Fernán Giraldo, komandant i Forcave Ushtarake, i cili theksoi se ka komunikim të drejtpërdrejtë me autoritetet ekuadoriane, me të cilat janë kryer disa operacione mbështetëse. Përveç kësaj, burimet e "Infobae Columbia" zbuluan pamjet e para të përforcimit ushtarak në kufirin me Ekuadorin.
KURIFI ME PERUNË
Një ditë më parë kryeministri Alberto Otárola, vendosi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në 5 rajone të vendit që kufizohen me Ekuadorin. Masa, e cila përfshin rrethe të 7 provincave të vendosura në Tumbes, Piura, Cajamarca, Amazonas dhe Loreto dhe ka si objektiv forcimin e sigurisë dhe rendit të brendshëm përballë valës së dhunës.
ÇFARË KA NDODHUR DERI MË TANI?
Dhuna shpërtheu në të gjithë Ekuadorin këtë javë pasi kreu i një grupi të rrezikshëm kriminale u zhduk nga burgu. U raportuan shpërthime, plaçkitje, të shtëna dhe djegie automjetesh, si dhe pati trazira në disa burgje. Të martën, në Guayaquil, njerëz të armatosur hynë në një studio televizive gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë. Presidenti Daniel Noboa shpalli një gjendje të jashtëzakonshme 60-ditore, duke vendosur një shtetrrethim mbarëkombëtar duke autorizuar ushtrinë të patrullojë rrugët dhe të marrë kontrollin e burgjeve./ZËRI