MOSKË - Të paktën 100 protestues që u mblodhën në Moskë pas vdekjes së Alexei Navalnyt janë arrestuar, sipas grupeve të të drejtave të njeriut. Navalny, 47 vjeç, vdiq ndërsa ishte në një burg rreth 40 milje në veri të Rrethit Arktik, ku ishte dënuar me 19 vjet, në një regjim të veçantë.
Në Moskë, Shën Petersburg dhe qytete të tjera anembanë Rusisë, mijëra njerëz u përballën me ligje të rrepta kundër protestave dhe vendosën lule në memorialet e improvizuara. Më shumë se 100 persona u arrestuan, sipas OVD-Info, një grup rus i të drejtave që monitoron represionin politik në vend.
Vdekja shkaktoi një valë reagimi nga liderët botërorë, me presidentin amerikan Joe Biden që pretendoi se presidenti rus ishte përgjegjës për vdekjen e rivalit të tij. Nderimet e luleve u hoqën brenda natës nga grupe njerëzish të paidentifikuar ndërsa policia shikonte skenën, tregojnë videot në mediat sociale ruse.
Të shtunën, policia bllokoi hyrjen në një memorial në qytetin siberian të Novosibirsk dhe arrestoi disa njerëz atje, si dhe në një qytet tjetër siberian, Surgut, raportoi OVD-Info. Në Moskë, lulet u hoqën gjatë natës nga një memorial pranë selisë së Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë nga një grup i madh, ndërsa policia po vëzhgonte, tregoi një video.
Lajmi për vdekjen e Navalnyt vjen më pak se një muaj para zgjedhjeve që do t'i japin Putinit gjashtë vjet të tjera pushtet. “Kjo tregon se dënimi në Rusi tani për kundërshtimin nuk është thjesht burgim, por vdekje", tha Nigel Gould-Davies, një ish-ambasador britanik në Bjellorusi dhe bashkëpunëtor i lartë për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër.

Rrethanat e vdekjes së Navalny janë ende kryesisht të paqarta
Shërbimi Federal Penitenciar i Rusisë raportoi se Navalny u ndje i sëmurë pas një shëtitjeje të premten dhe humbi vetëdijen në koloninë penale në qytetin Kharp, në rajonin Yamalo-Nenets rreth 1,900 kilometra (1,200 milje) në veri-lindje të Moskës. “Një ambulancë mbërriti, por ai nuk mund të marrë veten dhe shkaku i vdekjes është ende duke u vërtetuar”, thuhet në njoftim.
Disidenti ishte burgosur që nga janari 2021, kur u kthye në Moskë për t'u përballur me arrestimin e sigurt, pasi u shërua në Gjermani nga helmimi me agjent nervor, incident për të cilin fajësoi Kremlinin. Më vonë ai u dënua tre herë, teksa tha se secili rast ishte i motivuar politikisht dhe mori një dënim prej 19 vjetësh për ekstremizëm.
Pas vendimit të fundit, Navalny tha se e kuptonte se po vuante një dënim të përjetshëm, i cili matet me kohëzgjatjen e jetës sime ose jetëgjatësinë e këtij regjimi. Disa orë pasi u raportua për vdekjen e Navalnyt, gruaja e tij, Yulia Navalnaya, bëri një paraqitje dramatike në një konferencë sigurie në Gjermani, ku ishin mbledhur shumë liderë. Ajo tha se nuk e beson se është e vërtetë se bashkëshorti i saj ka vdekur, duke shtuar se regjimit në Rusi nuk i besohet. Bashkëshortja e Navalnyt kërkoi dënime për klasën politike në pushtet në Moskë./ZËRI/