Bota

Vdekja e Navalnyt/ Vuçiç: S’jam hetues, por vdekja e tij nxit një zjarr të ri

Vuçiç hodhi poshtë mundësinë që të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

f.t
Vdekja e Navalnyt/ Vuçiç: S’jam hetues, por vdekja e tij
Aleksandër Vuçiç

SERBI-Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se pozicioni i Beogradit në raport me Moskën do të jetë më i vështirë pas vdekjes së liderit opozitar rus, Alexei Navalny. Megjithatë, Vuçiç hodhi poshtë mundësinë që të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Vuçiç tha në një intervistë se nuk është hetues, por e sigurt është që tensionet do të jenë në rritje, pasi vdekja e Navalnyt ka nxitur një zjarr të ri.  Vuçiç tha për televizionin Prva më 18 shkurt se nuk dëshiron të flasë lidhur me atë se çfarë ndodhi me Navalnyn, që vdiq në një burg në Arktik, sepse ai tha se “unë nuk jam trup hetues”.

‘Nuk jam më i mençur se të gjithë të tjerët në botë që dinë gjithçka paraprakisht. Kjo u përket analistëve politikë, por jo një presidenti të shtetit. Por, pozicioni do të jetë më i vështirë për ne, nuk kam dyshim”, tha Vuçiç.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë përgjegjës për vdekjen e tij presidentin rus, Vladimir Putin, ndërkaq Kombet e Bashkuara u kanë kërkuar autoriteteve ruse që të kryejnë hetime të besueshme. Serbia ka raporte të mira me Rusinë dhe pavarësisht thirrjeve të faktorit ndërkombëtar që të vendosë sanksione ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë, Beogradi ka refuzuar që të sanksionojë Rusinë.

Kritiku më i madh i regjimit të presidentit rus Vladimir Putin, Aleksei Navalny vdiq në koloninë penale numër 3, në rrethin e Yamalo-Netets. Ai u ndje keq pas një shëtitjeje, humbi ndjenjat dhe ra në tokë. Menjëherë kanë mbërritur mjekët dhe ambulanca, por tashmë ishte tepër vonë. Autoritetet ruse kanë thënë se po hetojnë shkaqet e vdekjes. Në lidhje me vdekjen e tij, kanë reaguar liderët e vendeve perëndimore dhe organizatave të rëndësishme globale. SHBA u shpreh e tronditur për lajmin, duke shtuar se pret që gjithçka të konfirmohet. Më 9 gusht 2023, një gjykatë në Moskë e shpalli fajtor politikanin opozitar Aleksei Navalnyn, duke e dënuar 19 vite burg, me akuza, që kanë të bëjnë me ekstremizmin, për shkak të Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit. Përpara këtij akt-gjykimi, Navalny ishte duke vuajtur një dënim me 9 vite burgim. Ai dhe avokatët e tij kishin deklaruar se akuzat ndaj liderit opozitar të Kremlinit janë të motivuara politikisht./ZËRI

Poll

MOS HUMB