
KOREJA E VERIUT- Shefi afatgjatë i propagandës së regjimit të Koresë së Veriut ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare. Kim Ki Nam orkestroi fushatat propagandistike të regjimit totalitar në dekada, duke kultivuar një kult rreth dinastisë Kim në pushtet. Në ceremoninë e tij funerale mori pjesë edhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Agjencia koreano-jugore e lajmeve Yonhap e krahasoi 94-vjeçarin me shefin e propagandës së Gjermanisë naziste Joseph Goebbels, i cili mbahet mend për citimin: Kur e përsërit shpesh një gënjeshtër, ajo bëhet e vërteta.
Kim, në vitin 1966 ai u emërua zëvendësdrejtor i Departamentit të Propagandës së Phenianit, e menjëherë nisi lidhjen me Kim Jong Il, paraardhësin dhe babain e liderit aktual Kim Jong Un. Kim Ki Nam më vonë u promovua në krye të departamentit. Në vitet 1970, ai u vu në krye të gazetës së shtetit, "Rodong Sinmun".
Në vitet që pasuan, ai ndërmori iniciativa për të çimentuar rolin e Kim Il Sung si "babai i kombit" i Koresë së Veriut dhe për të mbështetur edhe pasardhësin e tij, Kim Jong Il. Po ashtu, Kim Ki-nam ishte një nga të paktët zyrtarë të Koresë së Veriut që ka vizituar Jugun, për të marrë pjesë si kryetar i një delegacioni në funeralin e ish-presidentit të Koresë së Jugut Kim Dae-jung në vitin 2009.
Për dekada, ai ka qenë gjithashtu krijuesi kryesor i parullave politike të regjimit, duke ushtruar një ndikim të madh në media, botime, madje edhe në artet figurative. Një shembull se si funksionoi makina e propagandës së tij u tregua pas vdekjes së papritur të Kim Jong Il në vitin 2011.
Ai shkruante: Asnjë fuqi në tokë nuk mund të ndalojë përparimin revolucionar të partisë, ushtrisë dhe popullit tonë nën udhëheqjen e mençur të Kim Jong Un.Nën udhëheqjen e Kim Jong Un, ne duhet ta kthejmë pikëllimin tonë në forcë dhe guxim dhe të kapërcejmë vështirësitë e sotme.
Në vitin 2015, fotot në mediat shtetërore treguan Kim Ki-nam - në të 80-at e tij në atë kohë - duke qëndruar mes një grupi zyrtarësh ushtarakë dhe duke mbajtur shënime ndërsa Kim Jong-un fliste. Ai dha dorëheqjen në fund të vitit 2010, duke ia dorëzuar postin motrës së Kim Jong Un, Kim Yo Jong, por vazhdoi të shfaqej në ngjarje publike - një shenjë se ai kishte marrëdhënie të mira me regjimin./ZËRI