Bota

Veriu i Europës aktivizon flotën detare, mesazh për Rusinë

Dhjetë vende të Europës, JEF, deklaruan se se do aktivizojnë flotën e tyre detare, për të mbrojtur infrastrukturën nënujore.

D.XH
Veriu i Europës aktivizon flotën detare, mesazh për Rusinë
Flota detare

BRITANI E MADHE - Dhjetë vende të Europës Veriore kanë aktivizuar flotën e tyre detare. Shtetet europiane të veriut kanë thënë se këto veprime kanë të bëjnë me rritjen e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

“Më shumë kapacitete detare dhe ajrore do të vendosen në zemër të rajonit për të ndihmuar mbrojtjen e infrastrukturës kritike nënujore”, thanë në një deklaratë ministrat e mbrojtjes të dhjetë vendeve. Kjo është hera e parë që JEF (grupi i 10 shteteve të Europës Veriore) aktivizon klauzolën e mbrojtjes, duke treguar se aktivitetet e tyre do të fillojnë në fillim të dhjetorit, siç raporton Euronews.

E fokusuar në mbrojtjen operative në Evropën Veriore, JEF është një koalicion prej 10 vendesh të udhëhequr nga Britania e Madhe dhe përfshin gjithashtu Danimarkën, Estoninë, Finlandën, Islandën, Letoninë, Lituaninë, Holandën, Norvegjinë dhe Suedinë.

“Rreth 20 anije luftarake do të vendosen në Detin Baltik, por edhe në zonat e Atlantikut të Veriut, për të parë më afër situatën e sigurisë dhe për të mbrojtur më mirë infrastrukturën nënujore”, tha ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonsson në kanalin publik SVT.

Një sinjal për Rusinë

Pal Jonsson tha se fuqizimi i flotës ushtarake është i domosdoshëm për të përballuar një situatë shumë serioze të sigurisë në botë dhe veçanërisht në fqinjësinë tonë. “Ne duhet të jemi në gjendje të kryejmë këtë operacion për të mbrojtur infrastrukturën tonë jetike, por edhe për të dërguar një sinjal në Rusi”, shtoi Jonson.

Vendet e JEF ranë dakord në tetor për të rritur sigurinë në Detin Baltik, pasi një tubacion nënujor i gazit midis Finlandës dhe Estonisë u mbyll, për shkak të një rrjedhjeje që tha se ishte shkaktuar nga veprime të jashtme. Më vonë u zbulua se kablloja nënujore midis Estonisë dhe Suedisë ishte dëmtuar gjithashtu.

Policia finlandeze arriti në përfundimin se dëmtimi i tubacionit ishte shkaktuar nga spiranca e një anijeje tregtare kineze, që ishte larguar nga zona. Por, incidenti ngjalli spekulime dhe rriti nervozizmin. Në shtator 2022, gazsjellësi Nord Stream, i cili transportonte gazin rus në Evropën Perëndimore nëpërmjet Detit Baltik, u shkatërrua, pas pushtimit rus të Ukrainës./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB