
PRISHTINË- Kosova nuk është në axhendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që do të mblidhet të premten, pavarësisht se liderët europianë deklaruan mbështetjen për Kosovën. Pavarësisht deklaratave të bëra, me sa duket rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës nuk do të jetë e lehtë. Zyrtarja për informim në Këshillin e Evropës, Estelle Steiner, ka konfirmuar për Telegrafin se aplikimi i Kosovës nuk do të figurojë në diskutimet e radhës të këtij komiteti.
“Kosova tani nuk është në axhendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave”, ka thënë Steiner.
Sipas axhendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.
Axhenda do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023) dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit, raporton Telegrafi.
Sipas axhendës, po ashtu ministrat do të shqyrtojnë punën e Organizatës në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat sociale dhe të drejtat e fëmijëve, demokracinë, sundimin e ligjit, luftën kundër dënimit me vdekje, arsimin dhe kulturën, pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe të rinjve, të drejtat e njeriut në epokën dixhitale, migrimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore, mbrojtjen e gazetarëve dhe masat për të luftuar dezinformimin, antidiskriminimin dhe përfshirjen, barazinë gjinore dhe mjedisin.
Ata do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin midis Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian. Në fund të seancës ministrore, Lihtenshtajni do t’i dorëzojë Lituanisë presidencën e Komitetit të Ministrave.
Më 16 prill, Asambleja Parlamentare votoi në favor të raportit që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE. Çështja tani është në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj./ZËRI