
SHBA- Një video e policisë së Las Vegasit ka shkaktuar tronditje në SHBA, teksa tregon një UFO që zbret në oborrin e një shtëpie. Pamjet misterioze u shpërndanë nga Departamenti i Policisë Metropolitane të Las Vegasit mes një sërë dukurish të çuditshme që ndodhën në zonë.
Në video, duket një ‘’top’’ i gjelbër drite duke udhëtuar në qiell para se të bjerë në tokë. Sipas 8 News, objekti në qiell u kap në pamjet e kamerës së trupit të një efektivi rreth orës 23:50 me orën lokale më 30 prill 2023, ndërsa shkëlqimi i tij u pa deri në Utah dhe Kaliforni.
Më pak se 40 minuta pasi "UFO" u pa në kamerat e policisë, një burrë që jeton rreth 80 milje larg zonës, thirri 911 për të raportuar një pamje shumë të çuditshme. Në regjistrimin e telefonatës së shpërndarë nga 8 News, dëgjohet një burrë që pretendon se në oborrin e shtëpisë së tij ndodheshin dy subjekte të paidentifikuara.
Policia ka kryer një kontroll të gjerë në zonë pas thirrjes, por asnjë informacion i ri nuk ishte zbuluar në atë kohë. Burime pranë hetimit i thanë ABC 7 se autoritetet nuk e trajtuan incidentin si një shaka dhe policia më vonë u kthye në zonë për të instaluar kamera në oborr me shpresën për të kapur ndonjë aktivitet të mëtejshëm të pazakontë./ZËRI