Bota

Vilë në Palasë për të qenë pranë Ramës? Kryeministrja italiane reagon e tronditur: Nuk e kam çuar kurrë në mendje

Meloni ka shprehur shqetësimin se prej disa muajsh, mediat kanë nisur një fushatë shpifjesh ndaj saj, që përfshijnë edhe jetën private

E.K
Vilë në Palasë për të qenë pranë Ramës?
Giorgia Meloni, foto ilustruese

ITALI- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka hedhur poshtë lajmet në mediat vendase, që u përhapën pak ditë më parë, se ajo kishte në plan që të blinte një vilë në zonën e Palasës në Shqipëri. Meloni, në një reagim për “Corriere” është shprehur e tronditur për këtë lajm, që sipas saj nuk është i pari informacion i rremë që shpërndahet kundër saj.

“Nuk është absolutisht e vërtetë”, është shprehur e tronditur Meloni sipas Corriere Della Sera, ndërsa ka shtuar: "kush do ta besonte që gjëra që as nuk i kam menduar ndonjëherë mund të jepen si lajm". 

Pak ditë më parë ishte gazeta Il Foglio, ajo e cila publikoi një artikull sipas të cilit kryeministrja italiane po blinte një vilë me pishinë në bregdetin e Palasës. Sipas gazetës, e cila i referohej burimeve politike dhe diplomatike nga Tirana, investimi i Melonit do të çimentonte edhe më tej marrëdhenien e saj me kryeministrin shqiptar Edi Rama. 

Lajmi u përcoll edhe nga shumë media të tjera duke u lidhur edhe me ndërtimin e Qendrave të Emigrantëve në Shqipëri, në sajë të marrëdhënies mjaft të afërt mes dy kryeministrave të vendeve tona. Me pak fjalë, blerja hipotetike e vilës në Shqipëri do të ishte (edhe) një lloj favori nga Meloni për Ramën (ose anasjelltas). Por sipas Corrieres të gjitha këto janë të pavërteta dhe pjesë e një fushate shpifje mbi kryeministren italiane.

Po ashtu vetë Meloni është shprehur se mediat duhet të marrin më shumë kohë në verifikimin e informacioneve, pasi së fundi shumë shpifje dhe baltë janë hedhur në drejtimin e saj. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB