
ITALI- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi trafikanët e qënieve njerëzore se nuk janë ata që vendosin se kush do të futet në Bashkimin Europian por autoritetet europiane. Deklaratën shefja e Komisionit Europian e bëri gjatë një vizite në Lampedusa e shoqëruar nga Kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Vizita e saj u shoqërua nga protesta e banorëve të ishullit, të cilët kundërshtojnë ardhjen e emigrantëve.
“Kryeministrja Meloni dhe unë jemi sot këtu për të ofruar një përgjigje të koordinuar nga autoritetet italiane dhe evropiane. Dua të jem shumë i qartë. Ne kemi një detyrim si pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Ne e kemi përmbushur këtë detyrim në të kaluarën dhe do ta bëjmë sot dhe në të ardhmen. Por ne do të vendosim se kush do të vijë në Bashkimin Evropian dhe në çfarë rrethanash, dhe jo kontrabandistët dhe trafikantët”, tha udhëheqësja e Komisionit Evropian.
Vetëm brenda një dite këtë javë, në ishullin e vogël mbërritën 7,000 migrantë. Tensionet janë rritur në ishull, i cili është më afër Tunizisë sesa Italisë kontinentale. Ndërsa rreth 126,000 migrantë kanë mbërritur në Itali këtë viti, deri tani. Lampedusa ka mbajtur barrën kryesore kohët e fundit, me mijëra prurje vetëm këtë javë, më shumë se popullsia e ishullit italian.