Bota

Vrasja në shkollën elitare tronditi Australinë

Një vrasje e kobshme ndodhi në një shkollë elitare, ku dyshohet se është vrarë trajnerja e vaterpolit, Lilie James. Australia po përballet me rritje të dhunës mbi bazë gjinore.

D.XH
Vrasja në shkollën elitare tronditi Australinë
Viktima

KANBERRA - Australia u zgjua disa ditë më parë, me lajmin e kobshëm, se në një shkollë private elitare, ka ndodhur një vrasje e tmerrshme. Policia ishte paraqitur në shkollën e katedrales së St Andreu pak para mesnatës, pas një telefonate urgjente.

Aty efektivët u ndeshën me një skenë të llahtashme – 21-vjeçarja trajnere e vaterpolit, Lilie James, ishte e vdekur dhe kishte lëndime të mëdha në kokë.

Detektivët besojnë se ajo u vra. Dyshohet se është goditur disa herë me çekiç. Kamerat e sigurisë raportohet se kishin kapur kolegun e saj, trajnerin 24-vjeçar të hokejit Paul Thijssen, duke dalë nga banja pas saj. Megjithëse policia nuk ka bërë komente publike për një motiv të mundshëm, mediat lokale kanë raportuar se James i kishte dhënë fund një lidhje me Thijssen e ky mund të jetë motivi i vrasjes.

Thijseen ishte alarmuar, kur kishte marrë vesh se ai po kërkohej për vrasjen. Policia gjeti edhe trupin e pajetë të Thijssen. Ky i fundit dyshohet se ka vrarë veten.

Miqtë dhe kolegët përcjellin ngushëllimet

Miqtë dhe familja, e kujtuan Lilie James si një mike të sjellshme dhe një sportiste të pasionuar. Së bashku me vaterpolon, asaj i pëlqente vallëzimi dhe noti. Ajo kishte marrë një diplomë biznesi sportiv në universitet. “Ajo ishte shumë aktive, shoqëruese dhe shumë e dashur me familjen e miqtë e saj. Ne jemi tepër të zemëruar", tha familja.

Daniel Makovec, koleg i viktimës deklaroi se ajo ishte e dashur me të gjithë dhe nuk mund ta besonte dot atë që ka ndodhur. Në një shënim për prindërit, drejtuesja e shkollës së katedrales së Shën Andreu tha se ajo ishte thellësisht e shqetësuar për gjithçka kishte ndodhur.

"E keqja nuk do të zërë rrënjë në komunitetin tonë, unë betohem për këtë", tha drejtuesja e institucionit, Julie McGonigle.

Thijssen, një shtetas holandez, ishte një ish kapiten sportiv në shkollë, përpara se të bëhej anëtar i stafit.

Australia po përballet së fundmi me dhunën ndaj grave. Vrasjet mbi bazë gjinore janë rritur së tepërmi në vend. Vetëm në 10 ditët e fundit, 3 gra u vranë, nga burra që viktimat i njihnin. Organizatat mbi të drejtat e grave bën thirrje për të luftuar fenomenin./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB