
EKUADOR- Vritet drejtoresha e burgut më të madh të Ekuadorit në Guayaquil. María Daniela Icaza Resabala u qëllua me armë zjarri teksa teksa ndodhej në makinën e saj. Atentati ndaj saj ndodhi në rrugën për në Daule, në një kohë kur mjeti i saj ishte bllokuar në trafik. Ajo udhëtonte me një punonjës shërbimi, i cili mbeti i plagosur.

Resabala drejtonte një burg me 12 mijë persona të arrestuar dhe dënuar, nga të cilët 6 mijë ishin për krime të rënda. Nga viti 2021 dhe deri në 2023 aty janë regjistruar dhjetëra vrasje mes klaneve kriminale në konflikte për të kontrolluar territorin e brendshëm të burgut dhe drejtuar aktivitete të paligjshme. Ndaj edhe detyra e saj mendohet se ishte shkak për atentatin e planifikuar ndaj saj.
Burgu Litoral, i quajtur zyrtarisht Qendra e Privimit të Lirisë Guayas Numër 1, është më i madhi nga pesë burgjet që përbëjnë kompleksin e burgjeve Guayaquil. Vala e vrasjeve ka marrë më parë edhe jetën e drejtorëve të tjerë të burgjeve; kryetarëve të bashkive dhe kandidatit presidencial Fernando Villavicencio. Vrasja e María Daniela Icaza është episodi i fundit i krizës së burgjeve që Ekuadori po përjeton që nga fundi i vitit 2020, e karakterizuar nga dhuna mes bandave, trazirat dhe sulmet e drejtpërdrejta kundër autoriteteve të burgut./ZËRI