
BEOGRAD- Protestat ende vijojnë në Beograd, Serbi dhe janë përhapur në zona të ndryshme në vend. Mbrëmjen e djeshme mijëra studentë dhe qytetarë organizuan një protestë të madhe në qytetin e Kragujevacit, për tragjedinë në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona, pasi u shemb tavani në një stacion treni. Protestuesit kërkojnë drejtësi dhe dorëheqjen e presidentit Aleksandër Vuçiç.
Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të minimizuar situatën, zemërimi publik ka arritur kulmin. Protestuesit, të udhëhequr kryesisht nga studentë, mësues dhe punëtorë, kanë thënë se kjo tragjedi është rezultat i korrupsionit të pushtetit.
Megjithëse disa figura të qeverisë dhanë dorëheqjen pas protestave, si Kryeministri Millosh Vuçeviç dhe dy ministra të tjerë, demonstratat vazhdojnë të jenë të përditshme, ndërsa studentët kanë pushtuar ndërtesat e universiteteve dhe kanë bllokuar rrugë të rëndësishme.
Në një përpjekje për të mbrojtur imazhin e tij dhe të qeverisë së tij, presidenti Vuçiç e ka cilësuar protestën si një përpjekje për të minuar Serbinë, duke akuzuar protestuesit se janë të mbështetur nga “forca të paspecifikuara perëndimore”. Vuçiç teksa po mbante një tubim, u shpreh se qëllimi i protestave ishte më shumë për të hequr nga pushteti atë sesa për të sjellë ndryshime për popullin.
Serbia e festoi Ditën e saj Kombëtare të shtunën e ndarë në tri tubime: me ceremoninë shtetërore u mbajt në Orashac, lëvizjen studentore që organizoi protestën masive në Kragujevc dhe partia Progresive Serbe në pushtet që drejtohet nga Vuçiç, e cila organizoi një kundër-miting. Aty mori pjesë edhe kreu i Republikës Serbe, Milorad Dodik, që është mik me Vuçiçin./ZËRI