SHBA- I dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, vizitoi të premten Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta, duke u zotuar të rriste ndihmën humanitare në rajon, ndërsa presioni mbi Izraelin rritet për numrin e të vdekurve nga uria në enklavën palestineze. I dërguari i posaçëm i Presidentit Trump tha se vizita e tij në Gaza sot ka si qëllim zhvillimin e një plani për të ofruar ndihmë ushqimore dhe mjekësore për popullin e Gazës.
“Sot kaluam më shumë se 5 orë në Gaza. Qëllimi i vizitës ishte t’i jepej Presidentit Trump një kuptim i qartë i situatës humanitare dhe të zhvillohet një plan për të ofruar ndihmë ushqimore dhe mjekësore për popullin e Gazës,”-shkroi Steve Witkoff në Platformën X.

Përpara vizitës së të dërguarit të Presidentit Donald Trump, Human Rights Watch (HRW) denoncoi sistemin e shpërndarjes së ndihmave, i cili, sipas HRW, është bërë një "kurth vdekjeprurës" për banorët e Gazës. Pas gati 22 muajsh lufte, rripi i Gazës kërcënohet nga uria. Sipas OKB-së, e gjithë enklava është plotësisht e varur nga ndihmat humanitare.
Sipas faqes amerikane të lajmeve Axios, Trump tha se po punonte për një plan që njerëzit në Gaza të ushqeheshin./ZËRI