
TIRANË- Sasi të mëdha uji mund të jenë të bllokuara thellë brenda kores së Marsit. Shkencëtarët pohojnë se më shumë se 3 miliardë vjet më parë në Marsi kishte jo vetëm liqene dhe lumenj, por edhe oqeane. Megjithatë, pasi planeti humbi atmosferën e tij, trupat ujore u zhdukën.
Sipas mediave të huaja, gjithçka që është e dukshme sot është ngrica e përhershme në polet e planetit. Ndërsa besohet se një pjesë e ujit ka humbur në hapësirë, kërkimet kanë dalë në përfundimin se ujë mund të ketë edhe në një formë të lëngshme në thellësi të kores.
“Të kuptuarit e ciklit të ujit marsian është thelbësor për të kuptuar evolucionin e klimës, sipërfaqes dhe brendësisë,” – tha studiuesi Dr. Vashan Wright nga Instituti Scripps i Oqeanografisë në UC San Diego.
Çfarë do të thotë për probabilitetin e jetës?
Studimi gjithashtu ngre pyetje të reja në lidhje me mundësinë e jetës në Planetin e Kuq.
“Prania e ujit nuk do të thotë se ka jetë, por uji konsiderohet një përbërës i rëndësishëm,”-shtoi Wright.
Sipas llogaritjeve të tyre sasi të mëdha uji të lëngshëm janë bllokuar brenda shkëmbinjve rreth 11.5-20 kilometra nën sipërfaqe./ZËRI