
MAQEDONI E VERIUT- Mbi 100 artefakte që janë mbi 2600 vite të vjetra janë zbuluar në fshatin shqiptar Koroshishtë, në Strugë të Maqedonisë së Veriut. Alsat shkruan se bëhet fjalë për helmetë bronzi, unaza ari, enë të ndryshme, fletë metalike prej ari, por edhe forma e dekorime të ndryshme.
Gjithçka ka filluar në vitin 2020, kur Shefit Shemshedini nga Koroshishta e Strugës duke punuar arën e tij ka hasur në gurë, ndërkaq më pas ka zbuluar një helmetë bronzi, të cilën e ka dorëzuar në Muzeun e Ohrit. Pas njoftimit të autoriteteve, gërmimet kanë vijuar nga ekipi i udhëhequr nga Pero Arxhanliev.
Zbulimet arkeologjike janë prezantuar gjatë ditës së djeshme nga ministri i Kulturës dhe arkeologët.
Sipas arkeologut Fitni Dalipi, gjetjet u takojnë fisit Ilir të Enkelejdëve, të cilët kanë banuar në krahinat përreth liqenit të Ohrit e që kanë krijuar dinastinë e parë të mbretërisë Ilire në fund të shekullit 5 para Krishtit.
“Këtu janë gjetur deri më tani që ne i përfunduam gërmimet, mbi 100 artefakte. Erdhëm në konstatim se këto artefakte i takojnë popullatës që ka jetuar në pellgun e Liqenit të Ohrit, Ohër, Strugë Pogradec. Janë fisi i Enkelejdëve. Janë 2.600 vjet të vjetra,”- tha Fitni Dalipi.
Gjetjet, përkufizohen në përmasa të epokales, diçka që siç thotë Dalipi, një herë në 100 vjet ndodhin.
“Ne kemi artefakte të lines, bronzit, hekurit, kemi argjend dhe ar. Domethënë është një varr shumë i pasur, që do të thotë se popullata që ka jetuar në këtë zonë ka qenë një popullatë shumë ekonomikisht e fortë që ka pasur mundësi të importon edhe objekte nga jashte,”- shtoi tha Dalipi.
Për rëndësinë e gjetjeve ditë më parë foli edhe ministri i Kulturës, Zoran Lutkov i cili falënderoi pronarët e tokës, Bukuri Shemshedini dhe Shefit Shemshedini të cilët kanë detektuar, denoncuar dhe ndihmuar në këto gërmime që sipas tij janë zbulimi më i madh arkeologji në Maqedoni të Veriut për 100 vitet e fundit.
Gjetjet, sipas paralajmërimit do të konservohen dhe do të dërgohen në Muzeun Arkeologjik të Shkupit, pasi nuk ka kushte për t’u mbajtur në Muzeun e Ohrit. Ajo që ra në sy dhe që ngrit dyshimet në opinion se mund të manipulohet me gjetjet është prezenca e Pasko Kuzmanit në vendin e gërmimeve, njeriut i cili në vitin 2016 u dënua me burg mbi akuzat se ka keqpërdorur dhe shitur artefakte kur ka qenë drejtori i Mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.